Bin Laden, OKB: SHBA të publikojnë faktet

05/05/2011 16:15

Komisionerja e OKB-së për të drejtat e njeriut, Navi Pillay ka kërkuar nga SHBA sqarime mbi operacionin që coi në vrasjen e Osama bin Laden.

“Jam në favor të publikimit të plotë të fakteve të sakta të ngjarjes”, ka deklaruar Pillay, e pyetur nëse kishte mbetur e kënaqur nga sqarimet e deritanishme të SHBA.

“Mendoj se jo vetëm zyra ime, por e gjithë bota ka të drejtë të dijë se cfarë ka ndodhur”, ka shtuar komisionerja.

Ndërkohë, mediat amerikane vazhdojnë të publikojnë fakte të reja mbi operacionin blic që coi në vrasjen e kreut të Al Kaedës.

Sipas “New York Times”, kur forcat speciale hynë në katin e tretë të shtëpisë-bunker në Abotabad, Bin Laden kishte një automatik tip “AK47” dhe një pistoletë të tipit “Makarov” pranë tij.

Gjithashtu, sipas të njëjtit burim, i biri i sheikut, Khalid Hamzan, u vra në shkallët e brendshme të rezidencës, teksa tentonte të ndalonte seals-at.

Ndërkohë, Islamabadi zyrtar druhet se objektivi i parë i një hakmarrjeje për vrasjen e Bin Laden janë ushtarët dhe qeveria pakistaneze.

Qeveria pakistaneze vlerëson se objektivat amerikanë janë në plan të dytë për organizatën terroriste. Për momentin situata në kryeqytetin pakistanez është e qetë, edhe pse ka më shumë kontrolle se zakonisht.

Top Channel