SHBA: Vrasja e Bin Laden, e ligjshme

04/05/2011 21:15

Shtetet e Bashkuara e cilësojnë plotësisht të ligjshme vrasjen e Osama bin Laden.

Duke folur në Komitetin e Drejtësisë në Senat, prokurori i përgjithshëm, Eric Holder tha se kreu i Al Kaedës nuk bëri asnjë përpjekje për t’u dorëzuar dhe ekzekutimi i tij, sic e quajti ai, ishte akt i vetëmbrojtjes kombëtare.

Ndërsa zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney u tha gazetarëve se Bin Laden nuk ishte i armatosur kur ndertesa e banuar prej tij u sulmua nga forcat speciale amerikane në orët e para të së hënës. Shumë pikëpyetje janë ngritur nëse operacioni ishte apo jo i ligjshëm.

“Nëse ai do të ishte dorëzuar, apo do të përpiqej ta bënte, ne do ta kishim pranuar këtë. Por nuk ka asnjë fakt që e pohon këtë dhe prandaj vrasja e tij ishte gjëja e duhur”, tha Holder.

Pas vrasjes së Bin Laden sondazhi i “New York Times” dhe CBS News tregon se presidenti amerikan Obama ka fituar pikë, duke arritur në 57 %.

Kryeministri i Pakistanit, Jusuf Raza Gilani tha se agjencitë e inteligjencës në mbarë botën duhet të ndajnë mes tyre fajin për dështimin në kapjen e udhëheqësit të Al Kaedës, i ekzekutuar nga forcat amerikane.

“Jemi në mes të një lufte dhe po luftojmë luftën kundër terrorizmit. Kemi aftësinë dhe vullnetin kundër ekstremizmit dhe terrorizmit. Ndajmë informacionet e shërbimeve sekrete me pjesën tjetër të botës, përfshirë SHBA-të dhe nese dikush thote se ka gabime nga Pakistani, kjo do të thotë se ka nga e gjithë bota”, tha Gilani.

Islamabadi u kritikua se nuk ishte në gjendje të gjente Bin Laden i cili jetoi pranë Akademisë Ushtarake të Pakistanit. Shefi i CIA-s, Leon Paneta në një interviste për revistën “Time” tha se asnjë informacion nuk u shkëmbye me autoritetet pakistaneze, me frikën se se gjithcka do të vihej në rrezik.

Disa qeveri europiane thanë se Islamabadi duhet të përgjigjet për gjithcka dinte. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen tha se operacioni është plotësisht i justifikuar.

Ndërsa ne Shtetet e Bashkuara ligjvënësit amerikanë po kërkojnë reduktimin apo pezullimin e ndihmës prej miliarda dollarësh, e destinuar për Pakistanin.

Ndërsa rreth 70 avokatë zhvilluan një protestë në Abotabad, duke lëshuar slogane anti-amerikane dhe duke e quajtur Bin Ladenin një hero.

Bin Laden, udheheqesi i Al Kaedës dhe truri i sulmeve të 11 shtatorit në 2001, kishte thuajse gjashtë vjet që qendronte në Abotabad dhe shumë pikëpyetje janë ngritur për autoritetet pakistaneze, nëse ishin të paaftë apo po e fshinin kreun e organizatës terroriste.

Top Channel