Duke ndjekur korrierin e Bin Laden

04/05/2011 21:35

Fatin e Osama bin Laden e vulosi një nga ndihmësit e tij më të ngushtë. Por njeriu i besuar i Osama e bëri këtë pa e ditur as vetë se, ndërsa përshkonte si rëndom këto 6 vitet e fundit rrugën që conte për në kompleks, në gjurmët e tij ishin vënë agjentët e CIA-s.

Vdekja e Bin Laden ishte pika kulmore e një pune 10-vjecare të inteligjencës amerikane, të vështirësuar së tepërmi nga këmbëngulja e kreut terrorist që askush pranë tij të mos përdorte as telefonin e as internetin.

Bin Laden ishte jashtëzakonisht i kujdesshëm. As operativët e nivelit të lartë nuk e kishin idenë se ku ndodhej.

Por, përgjatë gjuetisë njëdekadëshe, CIA arriti të kuptojë se korrierët e besuar, që shpërndanin mesazhet, ishin dhe dobësia më e madhe e Bin Ladenit.

Pak pas sulmeve të 11 shtatorit u arrit të zbulohej njeriu i tij më i besuar. Gjithë cfarë u mësua asokohe ishte emri i luftës që mbante ky njeri, Abu Ahmed al Kuwaiti.

Identifikimi i tij qe një mision i pamundur. Ekzistencën ia konfirmoi megjithatë numri tre në komandën e Al Kaedës, Khalid sheik Mohamed pas kapjes në 2003-shin.

Ai që vulosi përfundimisht informacionin ka qenë Hassan Ghul, i kapur në irak në 2004, i cili e përshkroi korrierin si jetik për organizatën, aq i rëndësishëm sa gëzonte mbrojtjen e krerëve më të lartë.

Të dhënat e përftuara prej tij ndryshuan rrjedhen e përpjekjeve për zbulimin e Bin Laden. Një detaj interesant në këtë histori e përbën fakti që Khalid Mohamed nuk nxorri asnjë fjalë për korrierin gjatë marrjes në pyetje me tekniken waterboarding, simulimi i mbytjes me ujë.

Por ai foli muaj më vonë, në kohën kur po i nënshtrohej një seance pyetjesh rutinë, i lodhur me sa duket nga përsëritja e tyre e përditshme. Informacione të vyera janë përftuar edhe nga të burgosur të Guantanamos.

Pas një pune disavjecare, Shtetet e Bashkuara arritën ta identifikonin më në fund korrierin e Bin Laden. Ai quhej Sheikh Abu Ahmed dhe ishte një pakistanez i lindur në Kuvajt.

Për herë të parë, Ahmed do t’i conte padashje operativët e CIA-s në kompleksin e Abotabadit gushtin e vitit 2010. Megjithatë, deri në momentet e sulmit, siguria që aty ndodhej vërtetë njeriu më i kërkuar i botës nuk ka qenë 100%.

Zyrtarët amerikanë ishin të bindur vetëm që brenda godinës trekatëshe qëndronte një e ashtuquajtur “shënjestër” me vlerë të lartë.

Top Channel