Kush e tradhëtoi Bin Ladenin?

03/05/2011 03:50

Vdekja e Osama Bin Ladenit i dha fund një loje të gjatë kukafshehti mes shërbimeve të inteligjencës amerikane dhe themeluesit të Al Kaedas.

Për një dekadë, operacione të shumta, me kosto e pa kosto janë ndërmarrë nga inteligjenca amerikane, por edhe nga forcat ushtarake në baze të “hamendësimeve” për vendndodhjen e Osama Bin Ladenit, të gjitha pasuksesshme deri në operacionin e së dielës në Pakistan.

Por cfarë e tradhëtoi Bin Ladenin, njeriun më të kërkuar në botë për 10 vjet me radhë?

Duke njohur metodat e inteligjencës amerikane, Bin Laden shmangte komunikimin me telefon apo internet dhe për të shpërndarë fjalën dhe porositë e tij përdorte një korrier të besuar.

Zyrtarët amerikanë thonë se fillimisht dëgjuan për korrierin e Bin Ladenit, që njihej me pseudonim, nga të arrestuarit për atentatet e 11 Shtatorit. Gjetja e identitetit e tij të vërtetë u bë katër vjet më parë.

Korrieri u pikas në rrugët e Islamabadit dhe pas këtij hapi nisi vëzhgimi i kujdesshëm në terren për të gjitha lëvizjet që ai kryente.

Zyrtari zbulon se në gusht të 2010 agjentë të inteligjencës arritën të “spiunonin” kompleksin ku jetonte korrieri i Bin Ladenit bashkë me të vëllain e tij dhe familjet e tyre. Agjentët vunë re se mbeturinat digjeshin, nuk kishte telefon dhe as internet.

“Ndoqëm për një periudhë të gjatë kohore të gjitha lëvizjet e tij. Pamë që banonte në një kompleks 1 milion dollarësh të rrethuar me mure 4 metra të lartë në një zonë ku shtëpitë e tjera ishin 8 herë më të vogla, bashkë me vëllain e tij. Verifikuam se të ardhurat e tij nuk justifikonin rezidencën luksoze. Pas shumë ditësh mbikqyrje të kompleksit vumë re që aty, përveç korrierit dhe vëllait të tij, jetonte edhe një familje e tretë, për të cilën na lindën dyshimet se bëhej fjalë për Bin Ladenin”, citohet nga CNN një këshilltar i Obamës për luftën kundër terrorizmit.

Në shtator 2010 CIA informoi presidentin Obama për vendndodhjen e mundshme të Osama Bin Laden. Në shkurt të këtij viti, CIA, edhe pse nuk ishte 100 përqind e sigurtë se atje do të gjente Bin Ladenin, po shqyrtonte mundësinë e një operacioni, nëse presidenti Obama do t’i jepte dritën jeshile.

Dhe për të diskutuar mbi planet e agjencisë së inteligjencës, Obama thirri plot pesë herë që nga fillimi i muajit mars deri në 28 prill, Këshillin e Mbrojtjes Kombëtare.

Mëngjesin e 29 prillit, para se të vizitonte zonat e goditura nga stuhitë në Alabama, Obama i hapi dritën jeshille misionit që zgjati rreth 40 minuta e që i dha fund odisesë së arratisjes së Bin Ladenit. Bin Laden vdiq!

Top Channel