Rama fushatë në Krujë

25/04/2011 09:10

Qyteti i Krujës ishte destinacioni i rradhës i kreut të Partisë Socialiste Edi Rama.

I shoqëruar nga bashkëshortja Linda Basha, e cila ka një origjinë të ndarë mes Tiranës dhe Krujës, por edhe nga deputetët gjithashtu gjysmë krutanë, Gjermeni e Spahiu, kryesocialisti ka zgjedhur të ecë në këmbë përmes rrugicave karakteristike të qytetit: përmes pazarit, për tu ndalur më pas në brendësi të kalasë.

Për zotin Rama 8 maji është dita kur shqiptarët duhet t’i thonë kurrë më qeverisë së kusarisë duke zgjedhur, siç tha ai, të vetmen rrugë që çon drejt një qeverie që punon për shqiptarët.

“Ky vend është zemra e një qytetërimi të cilin do ta nderojmë siç na takon duke bërë për Krujën gjithçka është shkruar në amanetin e të parëve”, u shpreh Rama.
 
Duke kërkuar mbështetjen për kandidatin Ismail Dani, lideri i opozitës Rama ka dhënë shenja të forta sigurie përsa i përket paraqitjes së PS edhe në ato zona që më parë konsideroheshin si bastione të djathta.

“Jam i bindur se do të arrijmë që ta kthejmë Krujën në parametrat që meriton. Mjafton një vizion i kthjellët për t’i dhënë Krujës një përmasë të re”, shtoi kreu i PS-së.

Top Channel