Elbasan, Berisha: Brenda pak ditësh nis rruga Tiranë-Elbasan

24/04/2011 19:30

Kryeministri Sali Berisha iu rikthye fushatës elektorale në Elbasan ku rikërkoi nga Fushë-Mbreti mbështetje për kandidatin të “Aleancës për Qytetarin” për Bashkinë e Elbasanit Durim Hushi, i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha pasi u kërkoi elbasanasve votën për kandidatin Hushi, u premtoi mbështetje të qeverisë për ndërtimin e infrastrukturës në qytet.

Kryeministri premtoi gjithashtu se brenda pak ditësh do të inaugurohet nisja e punimeve për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan, inaugurim të cilin, siç tha Berisha, do ta bëjë kandidati për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha dhe ai për Bashkinë e Elbasanit, Durim hushi. Projekti që do të afrojë Elbasanin me kryeqytetin nuk mund të pengohet nga askush, tha kryeministri.

Por përvec këtij aksi mjaft të rëndësishëm kombëtar, kryeministri përmendi edhe investimet, që sipas tij do të bëhen për shtrimin e rrugës që lidh qytetin e Elbasanit me pikën turistike të Gjinarit.

“Brenda pak ditësh inaugurojmë nisjen e punimeve për rrugën Elbasan – Tiranë. Do ndërtojmë cdo rrugë e rrugicë, do investojmë në kanalizime në qytet dhe do të shtrohet rruga Elbasan – Gjinar”, tha kryeministrit para mbështetësve në Elbasan.

Duke përmendur arritjet gjatë qeverisjes demokrate, Berisha premtoi gjithashtu se Elbasani do të shndërrohet në një pikë të rëndësishme energjitike për gjithë vendin.

Top Channel