Berisha në Devoll: Bilishti turistik

24/04/2011 16:25

Kryeministri Sali Berisha, nga qendra e Devollit ka prezantuar kandidatin demokrat për kryetar bashkie, Valter Miza. (UPDATE)

I shoqëruar nga Ministri i Financave Ridvan Bode, zoti Berisha i ka bërë një panoramë të të gjitha investimeve në këtë zonë duke deklaruar se alternativa e djathtë ka në epiqendër qytetarët.

Vijimin e investimeve drejt të ardhmes që meritojmë, sic u shpreh kryemisri, përfshi kthimin e Bilishtit  në një zonë turiste ishin disa prej premtimeve elektorale të zotit Berisha
 
“Në këtë alternativë ka vend për cdo shqiptar që beson ndryshimin, beson veten, i beson familjes së tij, komunitetit të tij, ndaj është rasti të ftoj të gjithë devollinjtë të bashkohen në nismën tonë, të bashkohen në alternativën tonë. Garantoj se dyert i kanë të hapura, do priten me respekt të plotë. Janë të mirëseardhur!”, tha kryeministri Berisha para mbështetësve në Devoll.

Edhe nga Bilishti Berisha ka sulmuar alternativën e së majtes duke komentuar sloganin socialist “Fajin e ka Saliu”.

“Krahas kësaj alternative është edhe alternativa, njëherë nisi si alternativa ‘Fajin e ka Saliu’, herën tjetër bitisi ‘Rruga e vetmisë’ e në fund do ta shohim ‘Fundi i ri i zoti Edi Rama”, tha Berisha.

Zoti Berisha e ka përdorur ditën e Pashkëve edhe besimin tek Zoti, për të ilustruar rrugën e ndjekur nga Partia Demoktarike në këto vite qeverisje.

“Sot jemi në ditë të bekuar për secilin për ne, rrugë të vetme kemi vetëm rrugën e Zotit, atij i falemi ne, kurse Zoti për ne na ka dhënë secili rrugën tonë dhe në këtë rrugë secili prej nesh ndërtoi me mundësinë tona të ardhmen, jemi arkitektë të së ardhmes sonë, të familjes sonë”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri Berisha ka ftuar banorët e kësaj zone të votojnë kandidatin demokrat si një garanci për ecjen përpara.

Top Channel