Vëzhguesit kundër KQZ-së

23/04/2011 19:50

Vendimi i KQZ-së për të detyruar televizionet të pranojnë kasetat e partive politike është kritikuar edhe nga koalicioni i Vëzhguesve Vendorë.

Në deklaratën e tyre thuhet se pavarësisht, synimit të këtij vendimi të KQZ-së, për të siguruar një mbulim të barabartë për subjektet elektorale nga të gjithë operatorët televizivë, edhe në rast të “pamundësisë së mbulimit me resurset e veta”, ky vendim është i paplotë përsa kohë ai nuk detyron qartë partitë dhe në veçanti kandidatët në garë që paraprakisht të njoftojnë dhe të lejojnë operatorët televizivë në takimet e tyre elektorale.

Koalicioni, gjithashtu, shpreh rezerva për bazën ligjore dhe llojin e këtij vendimi, pasi ai del mbi dispozitat e parashikuara në Kodin Zgjedhor.

Koalicioni i bën thirrje organeve të administrimit të zgjedhjeve e në veçanti Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që në punën dhe misionin e tyre të mos orientohen nga dëshirat apo imponimet politike që mund t’i vijnë nga kandidatët në garë.

Gjithashtu, Bordi i Monitorimit të Medias duhet të përmbushë detyrën dhe funksionin e parashikuar nga ligji duke vepruar në mënyrë jopartizane dhe jopolitike.

 

Top Channel