Rama: Flamur Bime, e vetmja rrugë

23/04/2011 20:30

Kryetari i PS-së, Edi Rama ka prezantuar në Gjirokastër kandidatin e “Aleancës për të ardhmen”, Flamur Bime duke deklaruar se ai është e vetmja rrugë për këtë qytet.

Rama theksoi se zgjedhjet në 8 maj janë politike dhe me anë të të tyre synohet të largohet regjimi i kryeministrit Berisha.

“E vetmja rrugë për Gjirokastrën është Flamur Bime, PS dhe ‘Aleanca për të ardhmen’. Jam shumë krenar që pjesë e kësaj aleance është edhe një mik dhe një bashkëpunëtor i ndershëm e luajal siç është Vangjel Dule. Duhet ta përshëndesë dhe t’i shpreh të gjithë respektin për bashkëpunimin e deritanishëm. Në 8 maj të gjithë se bashku do të arrijmë jo një fitore aritmetike, por një fitore që do t’i hapë rrugë një zhvillimi dhe perspektive të re”, tha Rama.

“Cila qeveri do të qendronte duar lidhur duke parë të rënuar siç rrënohen dita ditës këto ndërtesa që janë një trashëgimi kulturore. Duhet të bashkohemi për të vënë në vend nderin e Gjirokastrës duke refuzuar me votë Saliun dhe regjimin e tij obskurantist. Duhet të bëhemi bashkë, për të hapur një rrugë të re për ekonominë e këtij vendi, sepse Shqipëria sot vuan një krizë përditë e më të thellë të rënimit ekonomik”, theksoi kreu i PS-së.

“Të gjithë qytetarët duhet të kuptojnë se në 8 maj vota është politike, sepse është një votë për të ndryshuar tërësisht politikën kombëtare mbi pasuritë e këtij vendi. 8 maji është dita që të gjithë së bashku të shkojmë në kutitë e votimit me vullnetin për të ndryshuar jetën tonë dhe jetën e çdo qytetari i cili në Shqipëri duhet të ndihet i lirë dhe i mbrojtur në të drejtën e tij”, deklaroi Rama.

 

Top Channel