KQZ: TV-të të pranojnë kasetat

23/04/2011 19:40

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve votoi sot në mesditë me vetëm 4 vota propozimin e katër anëtarëve të Partisë Demokratike në bordin e monitorimit të medias për të detyruar televizionet që të pranojnë kasetat e gatshme të kandidatëve dhe partive politike në zgjedhjet vendore. (UPDATE)

Komisioni mori në shqyrtim pa praninë e bordit të monitorimit, propozimet e katër anëtarëve në shumicë të bordit për pasqyrimin e fushatës në radio-televizion.

Debatet ishin të forta, nëse është apo jo kompetencë e bordit për të propozuar rregullime që nuk parashikohen në ligj.

Në fund, projekti fillestar i bordit me 7 pika, përfundoi në vetëm 2 pika. Pika e parë përcakton se këtej e tutje janë partitë të cilat brenda kohës që u takon, ndajnë edhe kohën për kandidatët e tyre. Pra konkretisht do të jetë Partia Socialiste apo Partia Demokratike ato që do t’i tregojnë tani televizioneve se si duhet ta ndajnë kohën mes kandidatëve të tyre. Kurse pika e dytë përcakton se në rast të pamundësisë së mbulimit me resurset e veta, televizioni i ilustron aktivitetet e fushatës me filmimet e vëna në dispozicion nga partitë.

Pikërisht, kjo pikë mbeti e papërcaktuar, pasi nuk dihet se cili është institucioni që do të konstatojë se televizioni e ka patur të pamundur të ndjekë aktivitetet e kandidatit për shkak se është vetë ky që nuk ka lajmëruar dhe nuk e ka dashur praninë e medias në këto aktivitete.

Pas këtij vendimi, Top Channel deklaron se që në fillim të fushatës nuk ka qenë asnjëherë kundër, përkundrazi, ka qenë gjithmonë i gatshëm të pasqyrojë çdo aktivitetet të kandidatëve dhe partive politike të angazhuara në këtë fushatë, duke kërkuar zyrtarisht prej tyre axhendën e aktiviteteve për ta mbuluar me gazetarët dhe korrespondentet e tij.

Top Channel, sikundër edhe televizionet e tjera kryesore ka bërë të ditur vetëm se nuk do të pranojë materialet e gatshme të montuara nga forcat politike apo kandidatët, në respekt të lirisë së medias, profesionalizmit dhe në detyrim të publikut për të informuar në mënyrë të drejtë dhe të paanshme teleshikuesit për fushatën zgjedhore, duke plotësuar edhe një rekomandim të fortë të OSBE-ODIHR pas zgjedhjeve të vitit 2009.

Një vendim që është përshëndetur këto ditë nga ambasadori i OSBE-së, Vollfarth, por edhe nga ambasadorët e tjerë të rëndësishëm.

 

Top Channel