Countryman: Fushata e zgjedhjet të jenë të qeta

23/04/2011 10:50

Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Thomas Countryman
deklaroi se fushata elektorale dhe zgjedhjet e 8 majit në Shqipëri duhet
të zhvillohen të qeta dhe pa probleme.

Në një intervistë për radion Evropa e Lirë, zyrtari i lartë amerikan theksoi se zgjedhjet duhet të jenë të ndershme dhe se ato nuk u takojnë dy partive politike, por qytetarëve shqiptarë.

“Kemi insistuar që të gjitha palët ta respektojnë Kushtetutën, të mbajnë zgjedhje të ndershme dhe paqësore dhe i kemi bërë thirrje popullit të Shqipërisë ta kërkojë një gjë të tillë nga përfaqësuesit e tyre”, u shpreh Countryman.

Sipas tij, SHBA-të presin nga dy palët që të dyja palët të zhvillojnë fushatë jo të dhunshme, të mbajnë zgjedhje të qeta më 8 maj dhe të zgjidhin çdo mosmarrëveshje mbi zgjedhjet nëpërmjet procesit të njohur kushtetues.

“Nëse e arrijmë këtë, atëherë është periudha e paszgjedhjeve lokale në maj, në të cilën mund të zhvillohet një dialog më i qytetëruar politik, jo vetëm midis dy partive kryesore, por një dialog që përfshin gjithë shoqërinë shqiptare”, u shpreh Countryman

Top Channel