Arvizu-Rama, garë me biçikleta

23/04/2011 00:00

Aleksandër Arvizu ambasadori amerikan në Tiranë,  duke hequr kostumin zyrtar i veshur me bluxhins, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Edi Ramës për të marrë pjesë në Ditën Botërore të Tokës.

I shoqëruar nga një grup të rinjsh Rama i ka prezantuar projektin më të ri të bashkisë atë të vendosjes së koshave të mbeturinave  me logon e kësaj bashkie një model që e gjen në të gjitha metropolet e botës.

Rama dhe Arvizu kanë vizituar edhe pikën e dhënies së bicikletave me qera, e cila ka pak kohë qe funksionon.

“Dita e Tokës është një ditë e një celebrimi mbarëbotëror, për tokën, natyrën mjedisin që ne kremtojmë tradicionalisht vit pas viti, me ambasadorin e SHBA-së, pasi është një ditë që ka lindur në SHBA. Në 1969 senatori Nelson bëri një thirrje të fuqishme për të filluar për të menduar për tokën dhe mjedisin”, deklaroi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.

“Kur zoti Rama më telefonoi dhe me ftoi të merrja pjesë në nje aktivitet u bëra pak nervoz, pasi mendova se po më ftonte në një ndeshje basketbolli, por në fakt ai më ftoi të festojmë së bashku festën e tokës, tashmë një traditë në Tiranë. Unë iu përgjigja po, vetëm ai të më thoshte kur dhe ku. Ne jemi shumë të lumtur që Amerika ishte zanafilla, vendlindja e Ditës së Tokës. E vecanta e kësaj ditë është se ajo nisi thuajse si një lëvizje spontane. Nuk ishte një nismë qeveritare apo e ndonjë korporate të madhe”, tha ambasadori Arvizu.

Kryebashkiaku Rama dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, së bashku me një grup të rinjsh, bënë një shëtitje me biçikleta në korsitë e dedikuara në Bulevardin Zhan D’ark të ndërtuara nga Bashkia e Tiranës në funksion të politikave të transportit multimodal.

Kjo xhiro ka ngjallur kureshtjen e kalimtarëve, ndërkohë që dyshja Rama Arvizu kanë nisur një mini –garë me parakalime të ndërsjellta.

Në fund një kafe e përbashkët, për të rregulluar frymëmarrjen, pas udhëtimit disa minutësh me bicikleta.

Top Channel