Berisha në Krujë, mbështetje Shkëlzen Hoxhës

22/04/2011 18:20

Kryeministri Sali Berisha ka prezantuar kandidatin e “Aleancës për qytetarin” në qytetin e Krujës, Shkëlzen Hoxha.

Ai ka theksuar se projektet e kryetarit të ardhshëm të bashkisë do të kenë të gjithë mbështetjen e qeverisë. “Me Shkëlzen Hoxhën do zbatojmë çdo projekt. Do rindërtojmë sistemin e kanalizmeve, stadiumin, sikundër Kruja turistike do të mbetet kreu i të gjitha përpjekjeve tona.

I dashur Shkëzen, Kruja evropiane meriton edhe teleferikun. Së bashku ne do të bëjmë që turistë nga e gjithë bota të ngjiten me teleferik. Kruja turistike kërkon dhe që ne së bashku të asfaltojmë rrugën e Qafë Shtamës, një nga zonat më të bukura malore të Shqipërisë”, tha Berisha.

Kreu i qeverisë ka akuzuar liderin e opozitës, Edi Rama duke theksuar se me anë të rrugës së vetme ai kërkon të marrë të gjitha postet e mundshme. “Ai është i vetmi politikan që kërkon të bëhet edhe kryeministër, edhe kryetar bashkie, edhe kryetar partie dhe të marrë çdo post.

Ndaj thotë se ai është rruga e vetme”, theksoi kryeministri. Ndërkohë Hoxha deklaroi se në qendër të projekteve të tij është turizmi. “Si kryetar i ardhshëm ju premtoj një qeverisje demokratike dhe transparente për Krujën. Projekti im ka në qendër të vëmendjes turizmin. Kruja është një destinacion shumë i preferuar për këdo që vjen në Shqipëri. Strategjia ime, është zhvillimi dhe investimi… Punësimi është një nga sfidat më të rëndësishme të projektit tim”, është shprehur Hoxha.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta