Amnistia fiskale, reagon PS

22/04/2011 20:15

Partia Socialiste ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Financave, Ridvan Bode i cili u shpreh i sigurtë për suksesin e ligjit për faljen fiskale.

“Dëgjuam  Ridvanin që foli për falje. Fali faturat e energjisë elektrike dhe të ujit të pijshëm. Por, Saliu pranoi që 270 mijë familje shqiptare, pra më shumë se 1/3 e familjeve të vendit nuk kanë të ardhura që të paguajnë këto detyrime jetike. Pas 6 vjetësh në krye të qeverisë, pas 11 vjetësh në krye të punëve të shtetit, këto janë arritjet Saliut. A e dini pse nuk kanë të ardhura e 1/3 e familjeve shqiptare? 1 milionë shqiptarë janë të papunë. Edhe zyrtarisht pranohet që në 4 vitet e fundit 20 mijë veta e kanë humbur vendin e punës”, deklaroi Beqja.

“Shqiptarët nuk mund ta paguajnë faturën e energjisë sepse që kur Saliu erdhi në pushtet fatura e energjisë është rritur me 60%. Shqiptarët nuk mund ta paguajnë faturën e energjisë sepse buka vaji, sheqeri orizi janë shtrenjtuar sepse janë  monopole të oborrit të Saliut. Shqiptarët nuk mund të paguajnë faturën e energjisë sepse janë varfëruar nga taksa e sheshtë qofshin këta mësues, mjekë, infermierë, policë”, theksoi ai.

Një ditë pas miratimit në Kuvend të ligjit për faljen fiskale, ministri i Financave tha se aktet nënligjore do të jenë gati dhe ligji do të fillojë të zbatohet që në fillim të majit.

Top Channel