“Prokuroria, asnjë hetim për Bashën”

22/04/2011 19:55

Deputeti socialist Taulant Balla reagoi sot ndaj mosveprimit, sipas tij, të prokurorisë ndaj denoncimit që opozita bëri në organin qendror të hetimit ndaj ish ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha për vrasjen e katër demonstruesve në datën 21 janar.

“Më datë 21 mars në emër të një grupi deputetësh të PSSh kemi depozituar në institucionin e Prokurorisë së Tiranës kallzimin penal në ngarkim të shtetasit Lulzim Xhelat Basha me detyrë Ministër i Brendshëm për krimin e vrasjes me dashje të kryer kundër më shumë se dy personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave të tjerëve”, deklaroi Balla.

“Sot një muaj më pas jemi këtu në Prokurorinë e Tiranës për të depozituar prova të tjera shkresore dhe filmike që vërtetojnë përgjegjësitë penale të shtetasit Lulzim Xhelat Basha. Sikurse jeni në dijeni në këtë procedim penal kemi depozituar kallëzim edhe për dy vartës të tij, Drejtorin e Përgjithshëm  të Policisë së Shtetit dhe Drejtorin e Policisë së Tiranës”, shtoi Balla.

“Sot ne garantojmë cdo qytetar shqiptar se kjo përgjegjësi penale në ngarkim të shtetasit Lulzim Xhelat Basha do të zbardhet sa më shpejt të jetë e mundur.  Dhe se Lulzim Basha nuk do mundet t’i shpëtojë drejtësisë për shkak të procedurave. Dua të kujtoj se ato 230 milionë euro nuk ishin para të Saliut, por paratë e qytetarëve shqiptarë. Në kemi besim tek institucioni i Prokurorisë dhe sot po depozitojmë këto prova të reja shkresore dhe filmike që vërtetojnë përgjegjësinë e shtetasit Lulzim Xhelat Basha”, theksoi deputeti socialist.

Top Channel