PD: Incidenti i Blushit, jo politik

21/04/2011 20:20

Incidentet janë rikthyer sërish në Korcë. Makina e deputetit Ben Blushi është goditur me gurë nga persona ende të paidentifikuar.

Gurët me të cilët është goditur automjeti janë gjetur nga policia në mëngjes, ndërsa sipas drejtuesve lokalë socialistë, gjithcka lidhet me fushatën elektorale.

Incidenti ka ndodhur pas takimit që Blushi ka patur në Korcë për të mbështetur kandidatin socialist Niko Peleshi. Sipas zyrtarëve të Partisë Socialiste, incidenti ka ngjyra politike.

“Është një veprim me sens të pastër politik sepse ka ndodhur fill pas një aktiviteti në Korcë. Blushi nuk ka patur asnjë cështje personale me këta individe. Kërkoj që edhe kundërshtarët tanë politikë të distancohen dhe të dënojnë këtë akt”, tha kryetari i degës socialiste në Korcë, Muharrem Meko.

Ndërkohë, përfaqësuesit e Partisë Demokratike kanë hedhur poshtë insinuatat e PS, duke u shprehur se incidenti nuk ka sfond politik, por është nxitur nga vetë Blushi.

“Më shumë se cdo herë tjetër Korca ka nevojë për zgjidhje konkrete sesa tensione. Ne jemi kundër cdo ngjarjeje që do tensionojë fushatën”, deklaroi Johana Bici, zëdhënëse e kandidatit të PD.

“PD edhe njëherë i kërkon policisë që të kapë dhe vërë para drejtësisë autorët e këtij akti. Ky nuk është një akt me prapavijë politike, por i nxitur nga vetë deputeti i PS, që po përpiqet të rekuperojë imazhin e shkatërruar. I ftojmë qytetarët të mos bien pre e gënjeshtrave si në kohën e Haxhi Qamilit”, tha pas saj Ada Stefa, zëdhënëse e PD në Korcë.

Në lidhje me versionin e paraqitur nga dega lokale e Partisë Demokratike në Korcë për shkaqet e incidentit, drejtuesit e policisë thonë se ende nuk kanë ndonjë pistë.

“Ne po hetojmë të gjitha pistat e mundshme të këtij incidenti”, thanë ata, duke shtuar se nuk kanë ende asnjë të dhënë, person të shoqëruar, apo arsye nëse është politike apo jo.

Top Channel