Incident me flamujt në Shijak

21/04/2011 19:35

Ka nisur me incident mitingu i Partisë Socialiste në qytetin e Shijakut. Pak para fillimit të tij, dy makina me flamuj të Partisë Demokratike kanë kaluar pranë demonstruesve socialistë duke bërë thirrje të ndryshme në favor të forcës së tyre politike dhe kundër atyre të opozitës.

Kaq ka mjaftuar dhe mbështetësit e Partisë Socialiste kanë lënë përgatitjet për tubimin dhe janë përplasur fizikisht me militantët demokratë.

Përleshja, që ka zgjatur disa minuta, ka gjetur të papërgatitura forcat e rendit, të cilat për shkak të numrit të kufizuar të uniformave blu nuk kanë mundur të shmangin përplasjen e ashpër mes dy grupimeve.

Sherri ka përfunduar pas largimit në drejtime të ndryshme të dy makinave të mbështetësve të Partisë Demokratike. Teksa ky incident ka ndikuar jo pak në prezantimin e kandidatit të PS në Shijak, Indrit Buka.

Kjo nuk është hera e parë që në Shijak shënohen përplasje të forta mes përfaqësuesve të PS e PD. Si ato të vitit 2007, ku në zgjedhjet e pjesshme kandidati i opozitës për deputet, Igli Cela, u tërhoq nga gara duke e cilësuar procesin të paligjshëm.

Ndërkohë, thuajse identike ka qenë situata e krijuar në Shijak në shkurt të vitit 2007, ku një automjet u fut me shpejtësi mes turmës së socialistëve, ngjarje kjo që për fat të mirë nuk pati viktima.

Top Channel