Fushata elektorale “ndez” buxhetin

21/04/2011 08:15

Tremujori i parë i vitit 2011 konfirmon shpenzimet e larta që po kryen qeveria në kuadër të fushatës elektorale. Krahasuar me një vit më parë, të dhënat e shpenzimeve paraqiten me rritje, kurse të ardhurat mbeten në vendnumëro, duke ndikuar negativisht në deficitin buxhetor.

Për periudhën janar-mars 2011, investimet publike të kryera nga qeveria rezultojnë me rreth 20 miliardë lekë, ose 5 miliardë lekë (gati 50 milionë dollarë) më tepër se në vitin 2010, për të njëjtën periudhë. Po aq paraqitet rritja e investimeve për muajin mars krahasuar me muajin shkurt të këtij viti.

Sa i takon shpenzimeve buxhetore në total, regjistrohet niveli i rreth 90 miliardë lekë, ose gati 10 miliardë lekë më shumë shpenzime të kryera në raport me tremujorin e 2010-s.

Në këto kushte, deficiti buxhetor shënon një kuotë vërtet negative, përtej planit të parashkruar nga Ministria e Financave. Në muajin mars, deficiti arriti në rreth minus 11.7 miliardë lekë, kur një vit më parë qeveria shqiptare ishte me plus 700 milionë lekë si pasojë e bllokimit të investimeve për shkak të krizës.

Duket se fushata elektorale ka ndezur buxhetin e shtetit, i cili pas “qetësisë” së vitit 2010, i është rikthyer shpenzimeve të larta. Një deficit buxhetor i arritur në nivelin e mbi 110 milionë dollarëve deri në mars, kur për të gjithë vitin planifikohet më pak se 500 milionë dollarë, paralajmëron për një tjetër rrezik për financat shqiptare.

Megjithatë, burime nga Ministria e Financave saktësojnë për “Shqip” se, tejkalimi i nivelit të deficitit për tremujorin e parë nuk tregon detyrimisht daljen nga plani, pasi në pjesën e dytë të vitit shpenzimet do të jenë më të moderuara.

Sa i takon të ardhurave, niveli total i tyre i arritur deri në muajin mars ishte rreth 77 miliardë lekë, gati aq sa ishte në të njëjtin vit, me një rritje më pak se 1 për qind. Ky rezultat nuk reflekton qëndrimet e Kryeministrit për një “ekonomi që fluturon”, pasi të ardhurat tatimore ishin 70 miliardë lekë ose 7 për qind më shumë, por regjistrojnë një zhvillim larg objektivit me rritje 9 për qind.

Nga tatimet dhe doganat kemi rreth 53 miliardë e 302 milionë lekë të ardhura, me një plan vjetor të realizuar në masën e 20 për qind, kurse vetëm nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar kemi 26 miliardë  e 278 milionë lekë të ardhura, kurse i gjithë plani vjetor është për 137 miliardë lekë.

Top Channel