Dhimitri: Qeveria bllokoi projektet e bashkisë

21/04/2011 22:45

Në vijim të debatit në Top Story, nën/kryetarja e Bashkisë së Tiranës, Albana Dhimitri tha se puna dhe projektet e bashkisë së kryeqyteti janë bllokuar nga pushteti qendror.

“Është nënshkruar marrëveshja me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Unazën e Madhe. Në shtator 2009  nis një lojë kukafshehti mes qeverisë dhe BERZH-it që kërkonte ti jepej kredi Bashkisë së Tiranës, kredi kjo e bllokuar prej qeverisë. Nuk mund të bashkëpunojmë me një qeveri që bllokon buxhetin e kryeqytetit. Shkeljet e autonomisë së pushtetit vendor vërtetohen edhe tek 7 cështje të Gjykatës Kushtetuese, 4 janë fituar 3 në shqyrtim, në asnjë rast nuk i jep të drejtë qeverisë qendrore. Kemi një projekt për Tiranën moderne si kryeqendër të rajonit, jo vetëm të Shqipërisë”, tha nënkryetarja Dhimitri.

Ndërkohë, administratori i qytetit në Bashkinë e Tiranës, Dritan Agolli tha se që nga viti 2009 në kryeqytetin shqiptar ka nisur cikli i realizimit të projekteve të mëdha.

“Nga 2009 ka filluar cikli e punëve të mëdha, të veprave të mëdha. Parku i pistës së aviacionit, ka nisur puna për sheshin Skënderbej, një projekt spektakolar me financim të qeverisë kuvajtiane. Do përdoret uji e shiut, për shatërvanet e për të larë sheshin. Parku liqenit, parku zoologjik, parku botanik etje. 6 linja tramvaji, që nis nga Universiteti i Tiranës, Universiteti Kamëz, Tufinë, parkun rajonal Paskuqan e në integrim të zonave informale. Këto projekte do të hapin 50 mijë vende pune”, tha zoti Agolli.

Top Channel