Dhimitri: Infrastruktura e Tiranës, e përmirësuar

21/04/2011 21:45

Albana Dhimitri, nënkryetare e Bashkisë së Tiranës, ka vënë në dukje arritjet e kësaj bashkie gjatë tre mandateve të Edi Ramës në krye të saj.

“Ka pasur një transformim radikal të çerdheve. Nuk ka më çerdhe me lagështirë dhe ka një staf më të kualifkuar që punon aty. Po ashtu është përmirësuar infrastruktura e kopshteve dhe shkollave 9-vjeçare”, u shpreh Dhimitri në emisionin Top Story, në Top Channel.

“Ka pasur një shtrirje të dorës së bashkisë që nga qendra deri në periferi. Sot Tirana ka disa qendra, siç është “Garibaldi” në Kombinat, sheshi “Shtraus”, “Uillson”, “Ataturk” etj. Kjo ishte premtuar në vitin 2007 nga Bashkia dhe premtimi është mbajtur”, shtoi nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës

Përsa i përket planit rregullues të kryeqytetit, Dhimitri theksoi se Bashkia i ka bërë “detyrat e shtëpisë”: “Programi i zhvillimit të qytetit është ndërtuar mbi planin rregullues të Tiranës. Plani rregullues, i paraqitur nga Bashkia, është miratuar në dhjetor 2008. E kemi bërë detyrën tonë në këtë aspekt. Nuk e di pse nuk është zbatuar ky plan.”

Top Channel