Berisha: Vora, hyrja moderne e Tiranës

21/04/2011 23:00

Duke mbështetur Fiqiri Ismailin i cili rikandidon për një mandat tjetër në Bashkinë e Vorës, kryeministri Sali Berisha e vlerësoi atë vecanërisht për atë që e quajti integritet të dëshmuar dhe kontribut për kapërcimin e pasojave dramatike të ngjarjes së Gërdecit, pjesë e Bashkisë së Vorës. (UPDATE)

Kryeministri Berisha tha se në këtë bashki në katër vite është investuar 50 herë më shumë sesa investoi qeveria e Partisë Socialiste në 8 vjet.

“Ne kemi investuar 20 milionë euro, kundrejt 400 mijë euro që investoi Partia Socialiste gjatë tetë viteve të saj në pushtet. Por unë qëndroj sot këtu para jush për t’ju dhënë fjalën e nderit se do të mbështes e do të financoj çdo projekt që ju dhe kryetari juaj i bashkisë, Fiqiri Ismaili, do të bëni për punësimin dhe investimet në këtë bashki. Vora, hyrja moderne e Tiranës është dhe do të jetë motoja jonë. Kjo është alternativa jonë, alternativa me të cilën ne vendosim në epiqendër mundin tuaj, djersën tuaj, hallet tuaja, dertet tuaja, përkushtimin tuaj. Me këtë alternativë ne do të ndërtojmë Vorën e zhvilluar, Tiranën e zhvilluar, Shqipërinë e zhvilluar”, tha Berisha.

Në Vorë, ku foli më shumë për modelin e bashkisë që i përshtatet interesave të qytetarit, kryeministri Berisha nuk la pa përmendur edhe alternativën tjeter, të propozuar nga Edi Rama me sloganin e rrugës së vetme.

“Me alternativën e tij “Fajin e ka Saliu” shoku Edi Rama veçse dëshmon se ka tmerr nga mëkatet e tij. Unë dua t’i deklaroj këtij zotërie apo shoku, se nuk kam ndërmend që në këtë fushatë të merrem qoftë edhe 3 sekonda me mëkatet e tij, por vetëm me qytetarët, me hallet e dertet e tyre, interesat e tyre, vizionin e tyre. Sepse për mua ju jeni të parë, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat, qyteti juaj është i pari, Vora është e para, Tirana është e para, Shqipëria është e para”, shtoi kryeministri Berisha.

Top Channel