Berisha në Vorë, promovon Fiqiri Ismailin

21/04/2011 18:15

Kryeministri Sali Berisha hapi para pak castesh fushatën elektorale në Vorë, ku prezantoi kandidatin Fiqiri Ismaili, i cili do të garojë nën siglën e PD për mandatin e dytë.

Në fjalën e tij, Berisha ka vlerësuar figurën e Ismailit, duke e cilësuar atë si një qytetar model, që angazhohet seriozisht për zgjidhjen e problemeve të banorëve.

“Jam këtu për të paraqitur me krenari zotin Fiqiri Ismaili për mandatin e dytë në bashkinë e Vorës. Ai është ndër qeveritarët vendorë më të aftë të Shqipërisë, ai ka dëshmuar në këto vite se është një menaxher i shkëlqyer, një qytetar shembullor”, ka deklaruar Berisha.

Sipas kryeministrit, Ismaili ka pasur një kontribut të vecantë në menaxhimin e situatës pas ngjarjes së Gërdecit, në plotësimin e nevojave të jetës së përditshme të qytetarëve, si dhe në rritjen e pensioneve për të moshuarit.

Duke qëndruar në këtë cështje, Berisha ka premtuar një tjetër rritje pensionesh, si dhe vazhdimin e investimeve, që sipas tij në 4 vitet e fundit kanë qenë më të mëdha se në 8 vitet parardhëse.

“Premtoj sot këtu, një shtesë pensioni për të gjithë pensionistët mbi 75 vjec nga fondi i bashkisë. Në 4 vitet që shkuan ne kemi investuar 50 herë më shumë se qeveria socialiste në 8 vite. Ne kemi investuar 20 milionë euro nga 400 mijë euro që investoi ajo. Ju garantoj se do financoj cdo projekt që ju dhe kryetari juaj i bashkisë do bëjë për asfaltimin anekënd të cdo rruge të kësaj bashkie, për ujin, për shkollat, kopshtet e punësimin”, ka premtuar Berisha.

Më tej, kreu i qeverisë ka ironizuar me kryetarin e PS, Edi Rama, që garon për mandatin e katërt në bashkinë e Tiranës.

“Me alternativën e tij ‘fajin e ka Saliu’, shoku Rama vetëm dëshmon se ka tmerr nga mëkatet e tij. Por unë i them atij se nuk kam ndërmend që në këtë fushatë të merrem me mëkatet e tij, por vetëm me qytetarët, sepse ju jeni të parët”, është shprehur Berisha para simpatizantëve.

Top Channel