Berisha: Jo dhunë, mos prekni flamujt

21/04/2011 13:55

Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të mos provokojnë dhe përfshihen në akte dhune.

“Ftoj partitë që të japin kontributin e tyre personal për një proces sa më themelor, procesin e integrimit të vendit në BE. Ndaj dhe thirrja ime është të shmangin cdo akt dhune, tensionimi e fanatizmi. Ata që verbërisht i lejojnë vetes akte dhune tensionojnë situatën, duhet ta dinë se në mënyrë absolute veprojnë kundër interesave jetike të shqiptarëve, edhe vetes së tyre”, deklaroi Berisha.

Ai i kërkoi policisë të mos tolerojë asnjë incident të tillë. Secili është i lirë, tha kryeministri, të provojë simbolet e forcës politike që mbështet dhe askush nuk ka të drejtë t’i cënojë ato.

“Iu bëj thirrje organeve të rendit, që të tregojnë zero tolerancë ndaj cdo lloj abuzimi. Atyre që përplasen për problemet e flamujve kam këtë mesazh: se ato flamuj janë flamuj të pluralizmit. Secili të votojë për flamurin e tij, por dhe të respektojë flamurin tjetër. Këto zgjedhje duhet të jenë të lira e të ndershme”, theksoi Berisha.

Top Channel