Basha, ende ministër i Brendshëm

21/04/2011 19:45

Presidenti i Republikës, me propozim të kryeministrit, ka dekretuar shkarkimin e Bujar Nishanit nga ministër i Drejtësisë dhe emërimin e tij si ministër i Punëve të Brendshme.

Por duke konsultuar faqen e internetit të presidentit, bie në sy dekreti i shkarkimit të Lulzim Bashës si ministër i Punëve të Brendshme.

Dekretet mbajnë të njëjtën datë, 21 prill 2011. Që të hyjnë në fuqi, dekretet duhen miratuar nga Parlamenti.

Por Parlamenti nuk i ka miratuar ende. Kjo do të thotë që ligjërisht Bujar Nishani nuk është ende ministër i Punëve të Brendshme.

Le të shohim Kushtetutën. Neni 106 i saj thotë se, kryeministri dhe ministrat janë të detyruar të qëndrojnë në detyrë deri në formimin e Këshillit të Ministrave pasardhës.

C’do të thotë kjo? Kjo do të thotë që ministër i Punëve të Brendshme derisa të miratohen dekretet e presidentit nga Parlamenti, është Lulzim Basha.

Po ashtu, në Ministrinë e Kulturës, ministër vazhdon të mbetet Ferdinand Xhaferraj, për të cilin nuk ka as dekret shkarkimi.

Gjithmonë sipas Kushtetutës, që të shkarkohet, ai duhet të zëvendësohet. Atëherë nëse në Ministrinë e Kulturës vazhdon të jetë ligjërisht ministër në detyrë Ferdinand Xhaferraj, cfarë situate kemi në Ministrinë e Drejtësisë?

Gjithmonë sipas Kushtetutës, shkarkimi i ministrit Nishani duhej shoqëruar me zëvendësimin e tij. Duke mos e zëvendësuar, kryeministri Berisha e vendos qeverinë në të njëjtën situatë antikushtetueshmërie si qeveria Nano, që për mungesë votash në Parlament nuk mundi të miratojë disa ministra dhe punoi me zv/ministra.

Sigurisht, si ministri aktual i Punëve të Brendshme, Lulzim Basha edhe ministri i Kulturës Ferdinand Xhaferraj, mund të marrin pjesë në zgjedhje si kandidatë për për bashkitë e Tiranës dhe Durrësit.

I vetmi detyrim ligjor ka qenë dorëheqja e tyre si deputetë, që është miratuar nga Kuvendi dhe mandatet e tyre u kanë kaluar emrave pasues në listën shumëemërore të Partisë Demokratike. Problemi i vetëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të Kulturës është problem moral.

Top Channel