Top Story, Shqipëria Vendos 2011, beteja për Durrësin

20/04/2011 22:45

Vangjush Dako, kandidati socialist nën siglën e “Aleancës për të Ardhmen” për Bashkinë e Durrësit, paraqiti në Top Story-Shqipëria Vendos 2011, disa nga projektet e tij kryesore për zhvillimin e qytetit të Durrësit në integrim me avantazhin e këtij qyteti, si një qytet bregdetar.

Zoti Dako, në studion e Top Story, ku mungonte rivali i tij demokrat i mbështetur nga “Aleanca për Qytetarin” Ferdinand Xhaferraj, foli edhe për taksat që Bashkia e Durrësit u merr qytetarëve, një pikë kjo ku kryetari aktual i bashkisë së qytetit bregdetar është sulmuar vazhdimisht nga kundërshtari i tij.

“Taksa që një qytetar durrsak paguan në bashki është 14 mijë lekë të vjetra në vit, gjelbërimi 2 mijë, 10 mijë pastrimi, 2 mijë ndërtimi. Nëse zoti Xhaferraj do të ulë taksat le të ulë taksën e televizionit publik që është 14.000 e 200 lekë e të mos tallet me varfërinë e qytetarëve”, tha zoti Dako.

Top Story ballafaqoi Vangjush Dakon me projektin e rivalit të tij, Ferdinand Xhaferraj për ndërtimin e portit të peshkimit, projekt ky i shpalosur prej tij ditë më parë në një intervistë për Neës 24.

“Ngjitur me portin detar të ndërtohet porti e peshkimit. Investimi është 15 milion dollarë nga Banka Islamike dhe konceptohet si një shtim turizmi duke ndërtuar edhe një markatë për shitjen e peshkut”, thotë Xhaferraj.

Por kandidati i “Aleancës për të Ardhmen”, Vangjush Dako shprehu qendrimin e tij kundër ndërtimit të portit të peshkimit sipas këtij projekti, edhe pse sic tha ai, ky qendrim ka edhe një risk politik. Zoti Dako tha se nuk është kundër ngritjes së një porti peshkimi, por kundër vendndodhjes së tij.

“Jemi kundër portit të peshkimit në atë vendndodhje, jo kundër ndërtimit të portit. Kemi rekomanduar të ndërtohet në kalatën lindore jo në shëtitoren Taulantia sepse do sillte probleme me trafikun, imazhin dhe ndotjen. Kemi marrë edhe njëfarë risku politik sepse nuk na kanë kuptuar peshkatarët, por prapë mbrojtëm qytetin. Në atë vend kemi bërë një projekt për industri turistike, ndërtimin e një porti turistik të integruar me portin e peshkimit”, thotë zoti Dako.

Zoti Dako, përkundër qendrimit të rivalit të tij, Ferdinand Xhaferraj, u shpreh kundër ndërtimit të një parku energjitik në qytetin e Durrësit, një debat ky që shpesh është zhvilluar përtej hapësirave të qytetit bregdetar. Dako mbrojti qendrimin e tij kundër këtij projekti, sipas tij, për të mbrojtur qytetarët.

Top Channel