Raporti 2010, rriten kostot e biznesit

20/04/2011 08:00

Duket se apelet e guvernatorit të lëshuara për dy vjet rresht nuk kanë dhënë efektin e duhur në mentalitetin e biznesit dhe të individëve për raportin që duhet të kenë me lekun.

Pavarësisht rrezikut që paraqet valuta, sërish të dhënat tregojnë se kreditë e dhëna nga bankat në euro zënë një peshë të madhe.

Sipas gazetës ‘Shqip’, sot, në kushtet kur euro kushton të paktën 20% më shtrenjtë se dy vjet më parë, bizneset dhe individët që kanë marrë kredi në monedhën europiane po paguajnë kosto të lartë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia në tërësi arriti në rreth 472 miliardë lekë, ku më shumë se 65% i takon biznesit dhe pjesa e mbetur për individët. Në raport, BSH vë re se pavarësisht rrezikut që paraqet valuta për shkak të luhatjeve në çmim, bizneset dhe individët preferojnë t’i marrin kreditë euro dhe një pjesë në dollarë (ku i fundit zë një peshë më të vogël).

Për të gjithë vitin 2010, janë dhënë nga bankat rreth 42 miliardë lekë, nivel ky i njëjtë për dy vitet e kaluara 2008-2009, por larg kuotës rekord të vitit 2007 kur u dhanë rreth 80 miliardë lekë kredi.

Kreu i BSH-së është përpjekur të mbajë një qëndrim konstant sa i takon rrezikut që paraqet kredia në valutë në një kohë që të ardhurat janë në lekë, madje banka mori disa vendime që përcaktojnë nivelin e riskut për individët dhe bizneset.
Konkretisht, nga totali i kredisë që ka marrë biznesi, rreth 27 për qind është në lekë, kurse pjesa e mbetur në valutë, ku euro zë të paktën 64 për qind, ose gati 210 miliardë lekë.

“Kredia në valutë për sektorin privat është rritur mesatarisht me 4.1 për qind vit mbas viti për periudhën korrik-nëntor 2010. Përmirësimi i ndjeshëm i kreditimit në valutë krahasuar me gjashtëmujorin e parë, reflekton edhe situatën e mirë të likuiditetit në valutë të sistemit bankar për të njëjtën periudhë”, thekson BSH, në një nga raportet e fundit të politikës monetare. Sipas bankës, rritja e kreditimit në monedhë të huaj për sektorin privat ka shërbyer kryesisht për financimin e
projekteve të investimit të bizneseve.

Interesat që ofrojnë bankat për kreditë në euro janë më të ulëta në raport me monedhën kombëtare lek, megjithatë, shtrëngimi i çmimit të valutës europiane e ka vendosur biznesin në situatë të vështirë. Sikurse thamë më sipër, rreth 210 miliardë lekë (të konvertuara) janë në dhënë kredi në euro, ose sa 64% e totalit.

Aktualisht, ky grup kredimarrësish në euro po përballen me koston e lartë, pasi dy vjet më parë euro shitej për rreth 137 lekë, ndërsa sot e ka kapërcyer nivelin e 141 lekë. Ndërkohë, kreditimi në lekë u rrit me mesatarisht 12.5% vit mbas viti duke shfaqur ngadalësim të normave të rritjes krahasuar me pjesën e parë të vitit, me një rritje mesatare prej 18.6%.

Megjithatë, sipas BSH-së, kostoja e kreditimit në lekë edhe pse ka qenë në rënie gjatë kësaj periudhe, vazhdon të jetë më e lartë se çmimi i kredisë në euro, duke favorizuar preferencën për kredi në monedhë të huaj.

Top Channel