“Gardianët më ndërprenë intervistën në Top News”, Meta sqaron gjendjen e tij pasi u pa i transformuar në kafazin e xhamtë: Kostumi rrinte i madh prej ushtrimeve, flokët dhe lëkura…

28/04/2026 16:00

Ish-Presidenti Ilir Meta ka publikuar intervistën e dhënë në “Breaking” në Top News me gazetaren Dafina Hysi.

Gjatë intervistës, ai u ndal te gjendja e tij shëndetësore, ku u shpreh se është më mirë se kurrë, duke shtuar se ndryshe nga të paraburgosurit e tjera, atij i lejohet të bëj vetëm një herë ajrosje në ditë.

Ai gjithashtu shtoi se skandali i dytë lidhet me pengimin e transmetimit live të procesit gjyqësor, duke thënë se qytetarët nuk kanë pse informohen në mënyrë të deformuar.

Pjesë nga intervista-

Gazetarja: Meqenëse u ndërpre papritur lidhja telefonike, zoti Meta përse autoritetet e IEPV “Jordan Misja” e gënjyen Komitetin e Helsinkit?

Meta: Gënjeshtra ishte shumë e trashë, e panevojshme dhe lehtësisht e verifikueshme, se gjoja edhe unë bëj ajrosje 2 herë në ditë si gjithë të burgosurit.

Ndërkohë që këtu, jo vetëm ambientet e ajrosjes, por edhe dhomat e takimeve apo korridoret janë me kamera 24 orë.

Është fakt i padiskutueshëm se që nga 2 korriku i 2025, unë krejt ndryshe nga çdo i paraburgosur  tjetër, bëj vetëm një herë në ditë ajrosje.

Natyrisht, kjo nuk më pengon të ushtrohem në qeli, e cila “transformohet” edhe në palestër me mjete rrethanore.

Gazetarja: Pati shqetësime për paraqitjen fizike dhe gjendjen tuaj shëndetësore. Apo këto lidhen me keqtrajtimin tuaj?

Meta: Gjendja ime fizike, shëndetësore  dhe mendore është më e mirë se kurrë, pavarësisht gjithë privacioneve të bëra publike.

Që nga 2 korriku i 2025, kur jam dënuar pa një akt vendimi ende zyrtar edhe sot vazhdojnë të gjitha kufizimet, përveç gjësë më të parëndësishme, ping-pongut, i cili është hequr si “sanksion” para një muaji.

Me këtë rast dua t’ju siguroj se mbetem kampion absolut dhe me reflekse të jashtëzakonshme.

Sa për dijeni, nënkampioni këtu është një 30-vjeçar, që dikur ka qenë edhe futbollist.

Nëse më rrinte kostumi i madh, kjo nuk ka të bëjë me faktin se më kanë lënë pa ushqim, siç është thënë, por me aktivitetin tim fizik që më merr të paktën 4 orë në ditë, e sidomos me ushtrimet për muskujt e barkut.

Po kështu, dieta ime është shumë e shëndetshme falë edhe përkujdesjes së motrës time dhe jo vetëm.

Nëse shqetësimi është për modelin e flokëve, këtu nuk ka berber profesionist dhe ky nuk është problemi.

Nëse problemi është te lëkura, mos harroni se këtu uji është plot klor dhe do të më mjaftonte një javë në lumin e Valbonës ose të Shalës për ta bërë më të shndritshme lëkurën edhe se të (b)analistëve që bëjnë “make up” para se të dalin në studio për të shfokusuar opinionin publik nga 2 skandalet e GJKKO-së dje.

Së pari, në kundërshtim edhe me deklaratën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit kundër përdorimit të kafazit si mënyrë denigruese, antikushtetuese dhe në dhunim të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, pa surprizë GJKKO vendosi si standard dje rastin e trajtimit të një terroristi maroken në Francë, përgjegjës për sulm kamikaz me pasojë vdekjen e dhjetëra qytetarëve francezë.

Ky është një turp i ri i Ramaformës dhe pjellave të tij.

Se si mund të jetë procesi i barabartë në këto kushte kur as dëgjon mirë, as dëgjohesh mirë dhe as kur mund të konsultohesh me avokatin, këtë vetëm njerëz të kapur dhe të pafytyrë mund ta justifikojnë.

Pra përjashtimi ekstrem mbi precedentin e një terroristi, pranohet si “standard” nga Gjykata Speciale e një vendi anëtar të Këshillit të Europës e që do të anëtarësohet në BE.

Skandali i dytë është vendimi për të penguar transmetimin live të gjithë procesit të gjykimit kur çështja është e interesit të lartë publik dhe qytetarët nuk kanë pse informohen në mënyrë të deformuar, por duhet të dëgjojnë vetë akuzat edhe provat e pretenduara nga SPAK-u, por edhe faktet dhe provat e mia, pasi kam mbajtur tre funksionet më të larta të shtetit si asnjë tjetër në historinë e Shqipërisë që në 1912 dhe duhet të jap llogari edhe para qytetarëve.

Ndaj edhe duhet të shohin live se kur, si dhe me çfarë akti, vendimi, veprimi unë i kam shkaktuar një qindarkë dëm shtetit shqiptar.

Ky proces edhe live do të jetë sipas rregullave të Gjykatës (dhe jo Kuvendit), e cila ka të drejtë të sanksionojë cilindo që shkel etikën e procesit apo del jashtë objektit të gjykimit.

Për më tepër, në këtë proces nuk ka të penduar, por edhe nëse do të kishte në këtë rast s’kishte pse të jepej live.

Ndërsa alibia se mund të ndikohen dëshmitarët është mashtrim, pasi ata i kanë dhënë me kohë dëshmitë dhe nën përgjegjësi penale.

Po kështu tani ato mund të publikohen, siç kemi bërë edhe ne për disa prej tyre.

Transparenca e këtij procesi është tmerri i Edi Ramës, sepse ai është vetë kallëzuesi i rremë, prokurori militant e falsifikues dhe po kështu edhe gjykatësi i vetëm i këtij procesi, pavarësisht se një herë shfaqet me pantallona e herën tjetër me fund.

Top Channel