Skandal/ Hakerat sulmojnë “Botën e futbollit” publikohen 150 mijë dokumenta personale, mes personazheve edhe presidenti i FIFA-s
Shqipëria nënshkroi sot Memorandumin për zhvillimin e hub-it energjetik të Vlorës dhe marrëveshjen kuadër 6 miliardë dollarë për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror, si hapa të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të energjisë dhe forcimit të pavarësisë energjetike, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, si edhe ndërveprim konkret me Greqinë fqinje.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, e pranishme ishte edhe ambasadorja e SHBA-ve në Greqi, Kimberly Guilfoyle e cila në fjalën e saj tha se Shqipëria po luan një rol në rritje si një ndërlidhës në Ballkanin Perëndimor.
“Ka dy marrëveshje shumë të rëndësishme që po nënshkruhen sot, që është marrëveshja 6 miliardë dollarëshe për gazin e lëngshëm natyror, që tregon se Shqipëria po luan gjithmonë një rol në rritje si një ndërlidhës në Ballkanin Perëndimor. Në sektorin energjetik siguria dhe begatia, mirëqenia shkojnë krah për krah. Memorandumi i mirëkuptimit për studimin, zhvillimin, ndërtimin dhe vënien në veprimtari të një qendre thelbësore energjetike përfshirë një impiant gazi, dëshmojnë rëndësinë që qeveria shqiptare i kushton energjisë së qëndrueshme në të mirë të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh ndër të tjera Guilfoyle.
Nga ana e tij kryeministri Rama deklaroi se marrëveshja pritet të sjellë një investim të madh në vend, ku Vlora do të kthehet në një pikë kritikë për energjinë elektrike në Europën Juglindore.
“Menjëherë pas bisedës sonë mjaft të këndshme me Sekretarin për Punët e Brendshme dhe me njerëzit përkatës në Uashington, kemi sot një marrëveshje të jashtëzakonshme që do të sjellë më pas një investim shumë të madh, teknologji moderne dhe marrëveshje për furnizime. Pra, Vlora do të kthehet në një pikë kritike për energjinë në Europën Juglindore. E nuk mundem përveçse të theksoj, rëndësinë e asaj çfarë përmendi ambasadorja Guilfoyle, pra të nevojës sonë të të dyja palëve, të Shqipërisë e të Greqisë, për të forcuar lidhjen tonë dhe për të forcuar bashkëpunimin tonë në shumë mënyra, por posaçërisht sa i takon furnizimit me energji, prodhimit energjetik dhe rezistencës së pavarësisë energjetike”, deklaroi Rama.
Sipas tij “Duke pozicionuar Shqipërinë si ndërlidhës, fluksi energjetik shkon përmes Ballkanit Perëndimor, kontribuon në stabilitetin e rajonit dhe ndikon në sigurinë energjetike të fqinjëve dhe kjo është diçka që vërtetë na bën shumë krenarë dhe na bën të ndihemi shumë të nderuar”.
Top Channel