Presidenti: Vota e fshehtë, ndal spekulimeve

20/04/2011 22:35

Presidenti Republikës, Bamir Topi hedh poshtë të gjitha spekulimet mediatike në lidhje me votën e tij të fshehtë më 8 maj, duke i quajtur ato si një produkt i sajuar politik e mediatik.

“Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, hedh poshtë me neveri spekulimet politike dhe mediatike lidhur me votën e tij të fshehtë të dhënë me 8 maj për organet e qeverisjes vendore. Presidenti i Republikës e ka ushtruar të drejtën e tij kushtetuese të votës si çdo qytetar tjetër, me bindjen e plotë se vota e çdo qytetari është dhe duhet të jetë e fshehtë, siç përcaktohet nga Kushtetuta, Kodi Zgjedhor dhe Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, tha zëdhënësja e presidentit Topi, Mimoza Koçiu.

Më tej në deklaratë theksohet se cdo qytetar ka mundur të shohë votimin korrekt e ligjor të presidentit.

”Çdo qytetar i interesuar ka patur rastin të shohë në formë publike e vizive aktin e votimit të Presidentit, si votim i rregullt, ligjor dhe korrekt. Çdo aludim tjetër, mbetet produkt i sajuar politik e mediatik, i lidhur me kontekstin politik të ditës dhe për tërheqjen e vëmendjes nga problemet e mëdha që po shfaq vonesa në administrimin ligjor të rezultatit të zgjedhjeve”, thuhet më tej në deklaratë.

Kreu shtetit u bën thirrje aktorëve politikë dhe KQZ që të lënë mënjanë alibitë dhe përpjekjet, sipas tij, për të sajuar skema të tilla të ulëta dhe të zbatojnë ligjet e Kushtetutën.

”Presidenti i Republikës refuzon të përfshihet në spekulimet dhe lojrat politike të ditës, dhe me cilësinë e Kryetarit të Shtetit apelon edhe njëherë aktorët kryesorë politikë dhe institucioneve përgjegjëse, që të lënë mënjanë çdo alibi dhe përpjekje për të sajuar skema të tilla të ulëta dhe të kryejnë detyrën dhe përgjegjësinë që u ngarkon Kushtetuta dhe interesat madhore të vendit”, mbyllet deklarata e zëdhënëses, Mimoza Ko♪iu.

Top Channel