Nishani Ministër i Brendshëm

20/04/2011 15:10

Gati një vit e gjysmë pas largimit nga Ministria e Brendshme për të drejtuar Ministrinë e Drejtësisë, Bujar Nishani është rikthyer në drejtimin e një prej dikastereve më të rëndësishme të qeverisë shqiptare.

Burime zyrtare bëjnë të ditur për Top Channel se kryeministri Berisha e firmosi emërimin e tij si ministër i Brendshëm në mëngjes, përpara se të niste takimet elektorale.

Të njëjtat burime konfirmojnë se ky emërim është i vetmi emërim që kryeministri ka bërë, cka do të thotë se dy vendet e tjera, Ministria e Turizmit dhe Ministria e Drejtësisë do të mbeten bosh, të paktën deri pas zgjedhjeve.

Nuk është e qartë nëse Bujar Nishani do të vazhdojë të mbajë postin e ministrit të Brendshëm edhe pas datës 8 maj, por e sigurt është që ai ka pranuar të drejtojë për cfarëdo lloj afati Ministrinë e Brendshme.

Zgjedhja e Bujar Nishanit në krye të kësaj minsitrie, kur kanë mbetur pak më shumë se dy javë nga dita e zgjedhjeve, duket se ka patur të paktën 3 arsye kryesore.

Së pari, kryeministri ka gjykuar të mos lërë pa drejtim dikasterin që ka një rol delikat për ruajtjen e qetësisë gjatë fushatës, ditën e zgjedhjeve dhe ditët e numërimit të votave, si dhe, kur të gjithë ambasadorët kryesorë të vendit po kërkojnë që policia të qëndrojë në lartësinë e ligjit.

Së dyti, konflikti mes zëvendësministrit të Brendshëm, i ngarkuar me cështjet e policisë dhe një drejtuesi të larte të Policisë së Shtetit e bëri të detyrueshme caktimin e një ministri.

Së fundi, por jo për nga rëndësia, ky ministër është Bujar Nishani, sepse, për shkak të kryerjes së kësaj detyre deri një vit e gjysmë më parë, ka njohje dhe autoritet të mjaftueshëm për mënyrën e funksionimit të të gjitha strukturave të kësaj superministrie.

Nëse presidenti nuk e vonon dekretimin e ministrit të ri të Brendshëm, të enjten Parlamenti mund ta votojë atë, bashkë me ligjin e faljes së gjobave dhe disa detyrimeve të tjera të qytetarëve ndaj shtetit.

Top Channel