Dako: Në 4 vjet transformuam Durrësin

20/04/2011 22:20

Vangjush Dako, i cili kandidon për mandatin e dytë për drejtimin e bashkisë së Durrësit, ka shprehur bindjen se më 8 maj qytetarët do ta rivotojnë.

“Jam i bindur se do rivotohem pasi durrsakët vlerësojnë punën dhe jo fjalën dhe u premtoj më shumë punë për ta. Jam krenar për atë që kam bërë dhe ftoj qytetarët që të më votojnë për të vazhduar rrugën e nisur”, ka deklaruar Dako.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, kandidati socialist ka paraqitur edhe projektet e realizuara në katër vitet e fundit në qytetin bregdetar.

“Kemi ndryshuar infrastrukturën e Durrësit, të cilin 4 vjet më parë e gjetëm në një gjendje shumë të keqe. Kemi 60 kilometra rrugë të shtruara, 281 mijë metër katror rrugë të asfaltuara, 105 mijë metër katror trotuar të shtruara, të bëra gjatë periudhës 2007-11”, ka saktësuar Dako.

“Durrësi është sot më i ndricuar, më modern, me një aspekt kulturor më të madh. Kemi bërë cerdhe, kopshte dhe parqe lojrash për fëmijët”, ka vijuar ai.

Më pas Dako i është përgjigjur deklaratave të rivalit të tij demokrat Ferdinand Xhaferri, i cili e akuzon për favorizime të bizneseve personale.

“Nuk më interesojnë shpifjet e Xhaferrit, të cilat datojnë që nga viti 2009 kur kandidoi për deputet. Nuk jam aksioner në asnjë shoqëri, as në kompaninë e cmimentos, por nuk e fsheh që ajo është biznes i familjes time. Ajo drejtohet nga vëllai im. Qytetarët e dinin këtë dhe më votuan në vitin 2007. Unë kam mbështetur të gjithë qytetarët, përfshirë këtu vëllain tim, por asnjëherë duke shkelur ligjin”, ka shtuar Dako.

Top Channel