Cmim rekord i karburantit

20/04/2011 15:35

Cmimi i naftës ka shënuar në tregun e brendshëm rekordin historik duke
kapur në disa pika të shitjes me pakicë nivelin 181 lekë për litër.

Ky është cmimi më i lartë i arritur ndonjëherë në tregun vendas, më i lartë edhe se sa ai i vitit 2007, kur cmimet e naftës arritën kulmin në tregjet botërore. Deri tani cmimi i naftës është rritur nga vetëm një kompani, ALPET e cila sipas të dhënave zotëron nje pjese te mire te tregut të karburanteve në Shqipëri.

I pyetur nga Top Channel drejtori ekzekutiv i ALPET përgjigjet me shkrim se shkaku për rritjen e cmimeve është shtrenjtimi i naftës në bursa. Në fakt vitet e fundit, ALPET ka qenë kompania e cila zakonisht reagon e para duke rritur cmimet në tregun e brendshëm të karburanteve dhe më pas ndiqet nga të tjerat.

Drejtuesit e ALPET e justifikojnë këtë me faktin se biznesi i tyre nuk ka të bëjë thjesht me tregtimin e karburanteve, por sic thonë ata edhe me tregtimin e besimit duke nënkuptuar se cmimet e tyre të larta janë pasojë edhe e diferencave në cilësi që ka tregu shqiptar i karburanteve.

Por ndonëse në rastin e naftës cmimet ndryshojnë në pikat me pakicë, e kundërta ndodh me benzinën. Cmimi i saj ka arritur pothuajse në të gjithë distributorët nivelin rekord 185 lekë për litër. Kompanitë e karburanteve janë vënë shpesh në qendër të akuzave për spekullime me cmimet, dhe jo vetëm nga opinioni publik, por në disa raste edhe nga vetë ministri i Financave, ndonëse vitet e fundit qeveria është shndërruar vetë në një faktor që po nxit rritjen e cmimeve të karburanteve përmes taksave të larta.

Fakt ky i konfirmuar edhe nga vetë kompanitë, e karburanteve që thonë se taksat e qeverisë shqiptare mbi naftën janë më të larta se vendet e tjera. Por përtej shkaqeve tashmë mbetet për t’u parë se cilat do të jenë efektet e këtyre cmimeve rekord që po u imponohen konsumatorëve në treg. Studime të mëparshme nga disa ekspertë kanë treguar se rritja e cmimit të karburanteve shoqërohet me efekte shumëfishe negative, që nga kostot e papërballueshme për qytetarët e madje deri tek tkurrja e rritjes ekonomike.

Top Channel