“Institucionet, të ruhet pavarësia”

20/04/2011 23:45

Zëdhënësi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara këtu në Tiranë, i kontaktuar nga Top Channel, nënvizoi një pjesë të deklaratave të ambasadorit Aleksandër Arvizu, një ditë më parë në një tryezë për gjyqësorin, nisur nga interpetimet që i janë bërë deklaratave në një pjesë të shtypit të shkruar.

Sikundër edhe më parë, gjatë fjalës së tij ambasadori amerikan iu referua shpesh zgjedhjeve të 8 majit, ndërsa një pjesë e shtypit e interpretoi atë si thirrje që ka të bëjë vetëm me rezultatin e zgjedhjeve.

Pyetjes së Top Channel, zëdhënësi i ambasadës iu përgjigj duke cituar deklaratën e ambasadorit në të cilën thuhet:

“Pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve, pavarësia e institucioneve të sundimit të ligjit duhet nderuar dhe respektuar për të garantuar stabilitetin e këtyre institucioneve”.

Një deklaratë e tillë duket se objekt kryesor ka institucionet e sundimit të ligjit që lidhen direkt me procesin zgjedhor, sic mund të jenë policia apo KQZ, duke kërkuar prej tyre të ruajnë pavarësinë nga politika, në mënyrë që pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve, të respektohet dhe garantohet stabiliteti i tyre.

Top Channel