Top Story, Shqipëria Vendos 2011, beteja për Elbasanin

19/04/2011 22:40

Top Story-Shqipëria Vendos 2011 u rikthye këtë mbrëmje me ballafaqimin mes kandidatëve për kryetarë të Bashkisë së Elbasanit.

Në panel ishte i pranishëm vetëm kandidati i “Aleancës për Qytetarin” dhe i propozuar nga LSI, Durim Hushi. Ndërkohë, kryetari aktual dhe kandidati i “Aleancës për të Ardhmen”, i propozuar nga Partia Socialiste, Qazim Sejdini, nëpërmjet zyrës së shtypit, njoftoi arsyet e mospjesëmarrjes në debatin publik përballë rivalit të tij, Durim Hushi.

Zyra për shtyp njoftoi se mungesa e Sejdini përballë rivalit Durim Hushi lidhej me strategjinë e fushatës elektorale të tij, një zgjedhje kjo e kushtëzuar, sipas njoftimit, nga gjuha e ashpër e përdorur gjatë fushatës elekotrale nga rivali i tij që shkonte deri në sharje e fyrje personale.

Por Top Story-Shqipëria Vendos 2011, solli një fjalim të mbajtur nga zoti Sejdini përballë elektoratit elbasanas ku kryetari aktual dhe kandidati socialist vlerëson arritjet në mandatin e tij të parë dhe premtoi një qeverisje me ritme makimale drejt modernizimit të qytetit të Elbasanit në mandatin e dytë.

“Kemi rritur gjeblërimin, kemi shtruar rrugët, zhvillimin e biznesit. Ulëm 30 përqind taksat për bizneset tradicionale dhe artizanale brenda Kalasë. U kemi siguruar fëmijëve të kopshteve dhe cerdheve ngrohje qendrore. Hoqëm detyrimin e cdo takse për 2600 familje që trajtoheshin me asistencë sociale, shtuam 6 linja të reja urbane, kemi investuar 6 herë më shumë se katër mandatet e mëparshme. Kemi një qeverisje që punon më ritme maksimale drejt modernizimit. Kemi bërë të mundur që asnjë lek i bashkisë të mos shpenzohet pa marrë mendimin tuaj”, deklaroi Qazini.

Pas insertit me premtimet e zotit Sejdini, në studio foli kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Durim Hushi. Sipas zotit Hushi, Bashkia e Elbasanit është 2 milion euro borxh tek bizneset për shkak të investimeve të kryera, sipas tij, kur arka e bashkisë është bosh.

“Bashkia e Elbasanit është 2 milion euro borxh, 2 milion euro janë 2 vjet investime. 56 përqind e bizneseve mbledhin detyrimet, 44 përqind nuk i kanë paguar. Katër vjet zotëria e ka keqmenaxhuar Elbasanin. Bizneset, një pjesë e tyre afër kryetarit të bashkisë, vazhdojnë investojnë me mbështetjen e kryetarit. Bashkia e ka arkën bosh. Premtim i pambajtur për lëvizjen e fushës së djegies së mbetjeve urbane”, tha zoti Hushi.

Top Channel