Tiranë-Elbasan prish skenarin e Bodes

19/04/2011 08:00

Ashtu si rruga Rrëshen-Kalimash, e cila tronditi financat e shtetit, edhe Tiranë-Elbasan, rrezikon të cenojë stabilitetin e borxhit publik.

Një dokument zyrtar i Ministrisë së Financave tregon sesi Kryeministri Berisha rrëzoi variantin e propozuar nga ministri Ridvan Bode lidhur me reduktimin e borxhit gjatë periudhës 2011-2013.

Plani paraprak i ministrisë konsistonte në uljen e borxhit, duke filluar nga viti 2011, me të paktën 0.5 pikë përqindje dhe për ta çuar atë në 54 për qind në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), nga 59 për qind që ishte në 2010.

Ky plan iu bë i ditur edhe FMN-së, e cila e përkrahu, por planet e mëpasshme të qeverisë e rrëzuan të gjithë skenarin.

Një ndër objektivat madhorë, të përmendur edhe në dokumentin e Financave ishte ndërtimi i rrugës Tiranë-Elbasan, që pret të nisë punimet në fillim të muajit maj (tuneli).

Ministri Bode i paraqiti Kryeministrit dy skenarë: i pari parashikonte ulje të borxhit duke filluar që në 2011-n, nga 59 në 58.5 për qind të PBB-së, kurse i dyti mbajtjen e borxhit në nivel të pandryshuar për vitin e parë, dhe ulje radikale për dy vitet e tjera 2012-2013, në 54 për qind.

Edhe pse kreu i Financave rekomandonte uljen e borxhit, pra skenarin e parë duke paraqitur dizavantazhet e skenarit të dytë, Kryeministri vendosi të kundërtën.

Top Channel