Shkodër, digjen autobusët

19/04/2011 13:45

Tre autobusë të linjës urbane janë shkrumbuar nga flakët mesditën e sotme në parkun e autobusëve, në periferi të Shkodrës.

Fillimisht zjarri ka përfshirë një autobus në të cilin po bëheshin riparime dhe më pas flakët e zjarrit janë përhapur me shpejtësi të ndihmuara nga djegia e karburantit edhe tek autobusët e tjerë që ndodheshin aty pranë.

Fakti që reparti i zjarrfikseve ndodhet fare pranë parkut të autobusëve ka bërë të mundur që flakët e zjarrit, që po përhapeshin me shumë shpejtësi në gjithë parkun, të izolohen dhe më pas zjarri të vihet nën kontroll duke u shuar plotësisht.

Nga rënia e zjarrit janë shkrumbuar plotësisht tre automjete. Policia në vendin e ngjarjes është duke hetuar në lidhje me shkakun e rënies së zjarrit, ku dyshimet e para bien mbi ndonjë shkëndijë në sistemin elektrik të autobusit në të cilin po bëheshin riparime duke provokuar kështu dhe përhapjen e flakëve.

Top Channel