Sherri elektoral, pranga autorëve

19/04/2011 10:55

Pas incidentit të djeshëm në Sukth, ku ngelën të plagosur dy persona pas një perplasjeje fizike për vendosjen e flamujeve elektoralë, drejtoria e policisë së Durrësit njofton arrestimin e disa personave të përfshirë në këtë ngjarje.

Strukturat për hetimin e krimit dhe grupi hetimor vijuan me intensitet punën në drejtim të dokumentimit ligjor të ngjarjes së ndodhur rreth orës 17.20 në Sukth, ku dy grupe simpantizantësh u konfliktuan me njëri-tjetrin për shkak të vendosjes së simboleve identifikuese të subjekteve përkatëse elektorale.

Nga tërësia e veprimeve hetimore e proceduriale u identifikuan si autorë të dyshuar të kësaj ngjarjeje shtetasit:

Albert Hoxha, 32 vjec, banues në Sukth, i cili u arrestua në flagrancë, si dhe shtetasit G. Donshi, D. Muharremi dhe F. Meziu, të moshave nga 35 në 37 vjec.

I pari ka mbetur në qelitë e komisariatit, ndërsa tre të tjerët do të procedohen nga prokuroria e rrethit të Durrësit në gjendje të lirë.

Ata do të përgjigjen për veprat penale të kanosjes, dëmtimeve të tjera me dashje, prishjes së rendit dhe qetësisë publike, si dhe armëmbajtje pa leje.

Gjatë konfliktit janë dëgjuar të shtëna armësh, nga përdorimi i të cilave nuk ka pasur të dëmtuar.

Ky fakt konfirmohet edhe nga policia, ndërkohë që shkak për konfliktin që ndodhi në fushën sportive të Sukthit është bërë mbivendosja e flamujve elektoralë të PS-së në vendet ku ndodheshin më parë flamujt e forcës rivale.

Top Channel