Fushë Krujë, PS prezanton Gjon Bardhin

19/04/2011 17:55

Kryetari i PS-së, Edi Rama ka prezantuar kandidatin e “Aleancës për të ardhmen” për Bashkinë e Fushë Krujës, Gjon Bardhi. (UPDATE)

Rama ka theksuar se Bardhi dhe PS janë e vetmja rrugë për qytetarët e kësaj zone.

Kreu i PS-së ka theksuar se më 8 maj do të hapet një rrugë e re për Fushë Krujën dhe gjithë qarkun e Durrësit.

“Gjon Bardhi është e vetmja rrugë për Fushë Krujën. PS është e vetmja rrugë për Fushë Krujën. Unë besoj se në 8 maj me votën tuaj në mund të hapim një rrugë të re për Fushë Krujën dhe gjithë qarkun e Durrësit. Ju të gjithë ashtu si çdo qytetar i këtij vendi, jeni të vetdijshëm për domosdoshmërinë e një ndryshimi të madh, jeni të vetdijshëm për politikën e shpërdorimeve të pafundme që nuk ka sjell tek ju perspektivën që ju meritoni. Atë që pushteti i vjedhur për të vjedhur Shqipërinë i ka bërë Krujës së Skënderbeut, nuk ja ka bërë asnjë pushtues”, deklaroi Rama.

“Ne të gjithë bashkë i kemi mundësitë që të kalojmë Krujën e Fushë Krujën nga kurthi i pamundësisë e varfërisë, që t’i japim çdo familjeje dritën e nevojshme për rrugën e së ardhmes”, theksoi Rama.

Më pas kreu i PS-së ka vijuar fushatën në minibashkinë Nr.3, në kryeqytet, ku ka theksuar investimet që ka bërë bashkia gjatë këtyre viteve.

“Falë punës së bërë gjatë këtyre viteve në këtë zonë është rritur vlera e investimeve të qytetarëve”, theksoi Rama.

Top Channel