Berisha: Rama, rruga e vetmisë

19/04/2011 17:15

Kryeministri Sali Berisha premtoi katërfishimin e investimeve në Bashkinë e Manzës, jo larg zonës turistike të Gjirit të Lalzit, ku rikandidon për një mandat të dytë Bujar Huqi.

Sipas kryeministrit Berisha, me 420 milionë lekë investime në këto katër vite ndryshimi i Manzës është i dukshëm, si në të gjithë Shqipërinë, ku, siç tha, kryeministri Berisha rritja e mirëqenies së qytetarëve ka qenë objektivi kryesor i qeverisë.

“Ne jemi njerëz të suksesit sepse ne, në një hark kohor të shkurtër, prej 5 vitesh, kemi ndërtuar e rindërtuar në këtë vend 8 mijë kilometra rrugë në mbarë Shqipërinë. Ne jemi njerëzit e suksesit, ju jeni njerëzit e suksesit, sepse ne së bashku këto vite ia dolëm të dyfishojmë pensionet e ulëta, pensionet në fshat e në mbarë Shqipërinë. Ne jemi njerëzit e suksesit, sepse në këto vite ne ia dolëm të jemi i vetmi vend në Evropë që dyfishojmë rrogat. Pra, është e qartë si drita e diellit se alternativa jonë është alternativa e suksesit,alternativa e integrimit, alternativa me të cilën secili qytetar shqiptar, me mundin, djersën, përkushtimin, mendjen e tij, ndërton të sotmen dhe të ardhmen”,  tha Berisha.

Duke përmendur si arritje madhore të këtyre 5 vjetëve edhe anëtarësimin e vendit në NATO dhe liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian, kryeministri Berisha ftoi shqiptarët të braktisin alternativën e propozuar nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, të cilën e cilësoi si rruga e të shkuarës dhe e vetmisë.

“Shoku Edi, vrapo sa të mundësh në rrugën tënde të vetme, shtëpia e të shkuarës po të pret dhe ka hapur dyert për ty. Ec me vrap drejt të shkuarës tënde. Ne së bashku do ecim në alternativën e qytetarit, në koalicionin e qytetarit, në besimin ndaj qytetarit, në besimin ndaj jush. Ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët. Rrofshi ju, rroftë Manza, rroftë Shqipëria”, deklaroi Berisha.

Top Channel