Amnistia fiskale, votimi këtë javë

19/04/2011 08:15

Projekti i shumëpërfolur i amnistisë fiskale pritet të miratohet këtë javë në një seancë plenare të posaçme.

Të gjendur në fushatë elektorale, deputetët do të thirren për të votuar projektligjin e qeverisë që parashikon faljen e gjobave dhe detyrimeve që rrjedhin deri në fund të vitit 2010.

Ajo çfarë përbën interes për biznesin lidhet me qëndrimin që do të mbajë opozita. Informacionet e deritanishme tregojnë se deputetët e PS-së në Kuvend kanë pak gjasa që të japin votën pro draftit të qeverisë, duke e lidhur me disa arsye që nuk kanë lidhje politike.

PS ka kërkuar nga qeveria garanci që amnistia nuk do të ligjërojë paratë e krimit të organizuar, por nuk ka marrë përgjigje nga Ministria e Financave, pavarësisht se biznesi nga ana tjetër ka ofruar çdo alternativë për mbarëvajtjen e procesit.

Një votë kundër e opozitës ndaj projektligjit do ta degradonte amnistinë vetëm si një projekt që ofron falje gjobash dhe disa detyrime tatimore me kushte, ndërsa sa i takon legalizimit të aseteve nuk do të ketë shans për kanalizimin e tyre në ekonomi, edhe pse biznesi pikërisht këtë të fundit ka kërkuar.

Në raport me qeverinë, duket se biznesi ia ka arritur qëllimit lidhur me rishikimin e tarifave për legalizimin. Amnistia parashikon futjen në ekonomi të miliarda eurove, ndërsa afati për zbatimin e projektit do të jetë 6-mujor, deri në fund të muajit dhjetor.

Top Channel