Vlerësim vjetor për maturantët

18/04/2011 11:50

Ndonëse për vite me radhë maturantët i janë nënshtruar provimeve semestrale për të vënë në provë njohuritë e marra gjatë viteve të shkollës së mesme, mësohet se vitin e ardhshëm shkollor nuk do të ketë më vlerësim semestral, por vjetor.

Kjo risi vjen si pasojë e ndryshimeve të tjera që kanë ndodhur në Maturën Shtetërore, ku më e fundit ishte ajo e heqjes së sezonit të vjeshtës.

“Në shkollën e mesme nuk do të ketë më vlerësim semestral. Vlerësimi do të jetë vetëm vjetor. Për këtë ne kemi rivënë në zbatim udhëzimin e ministrit, numër 121, që flet për zhvillimin e konsultimeve sipas planeve të përcaktuara mirë”, – tha Fatmir Vejsiu, drejtor i arsimit parauniversitar në MASH.

Zyrtarisht thuhet se, testi i provimeve të Maturës Shtetërore 2011 do të ketë 25 pyetje, 13 me alternativa dhe 12 me zhvillim, ndërkohë që secila përgjigje do të vlerësohet me një pikë.

Deri këtu asgjë nuk ka ndryshuar nga një vit më parë, por sipas deklaratave të fundit të specialistëve të arsimit, pritet që këtë vit të ketë ndryshime në formularin A2.

Këto ndryshime nuk janë konkretizuar ende, por mendohet se kanë të bëjnë me formatin e këtij formulari, i nevojshëm për të zgjedhur një prej degëve të universiteteve të vendit.

Sipas specialistëve, formulari A2 do të riformatohet pasi nga viti në vit shtohen degë të reja studimi dhe këtë vit mund të shtohen edhe disa të tjera, që do të renditen në formular.

“Është një listë e gjatë që shtohet nga viti në vit me drejtimin e studimit. Në vitet e para ka qenë jo më shumë se 170, por me kalimin e kohës, me vendim të Këshillit të Ministrave, hapen degë të reja nëpër fakultete të ndryshme dhe këtë vit mund të shtohen edhe disa të tjera”, – sqaruan specialistët pranë MASH-it.

Për herë të parë këtë vit maturantët do të pajisen me diplomë dhe jo me dëftesë pjekurie. Ajo nuk do të shpërndahet më nga drejtoritë e shkollave, por nga Agjencia Kombëtare e Provimeve.

Top Channel