Rama në Fier: Jo më korrupsion e vrasje

18/04/2011 19:25

Socialistët kërkuan një tjetër mandat për Baftjar Zeqon në krye të Bashkisë së Fierit si e vetmja rrugë për të vazhduar projektin e nisur e që synon t’i japë një fytyrë europiane këtij qyteti.

Gjatë fjalës së tij, kryesocialisti, Edi Rama është shprehur se pas 4 vitesh punë dhe premtime të mbajtura, Zeqo përbën sot një garanci për qytetarët.

“Rruga jonë i bën qytetarët e këtij qyteti të besojnë tek e ardhmja. E bën Baftjar Zeqon një shembull, për të cilin jemi krenarë dhe e bën votën për Baftjarin një votë përtej kutive të partive, një votë për qytetarët dhe për qytetin e tyre. Baftjari dhe PS janë e vetmja rrugë për Fierin”, ka deklaruar Rama.

Duke theksuar se vendi sot është zhytur në papunësi, frikë, vrasje e gënjeshtra, Rama ka nënvizuar se vota është një domosdoshmëri.

“Vota është domosdoshmëri për të marrë në dorë fatin dhe të ardhmen, për ta kthyer popullin në protagonist, për ta kthyer Shqipërinë nga një vend me 1 milion të papunë në një vend ku punësimi të jetë e drejtë themelore”, ka pohuar Rama.

Lideri i opozitës ka premtuar nisjen e një operacioni masiv për të siguruar një zhvillim ekonomik të qendrueshëm në Fier dhe në gjithë territorin e Shqipërisë.

“Është koha e pjesëmarrjes së madhe në një operacion të përbashkët për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, që do mishërojë ëndrrën e cdo shqiptari për të jetuar në vendin e tij dhe shtëpinë e tij, që do t’i japë fund dallimit mes fshatit dhe qytetit, duke kthyer cdo territor të këtij vendi në zonë me zhvillim ekonomik, punësim e mirëqënie”, është shprehur Rama.

Më tej ai ka ftuar qytetarët që më 8 maj t’i japin verdiktin qeverisë Berisha, për t’u hakmarrë sipas tij për vrasjet e Gërdecit, 21 janarit dhe për një sërë padrejtësish.

Top Channel