Qëndrimin për Toeflin në studimet master

18/04/2011 18:50

Një diplomë universitare dhe tashmë një diplomë shtetërore e një gjuhe të huaj, si anglishtja, konsiderohet me humor si një “pajë e mire” për çdo student.

Mbrojtja e gjuhës angleze në shtet njihet nga të gjitha institucionet shqiptare, por kjo diplomë nuk mjaftont më për një student të kualifikuar për master.

Toefli, një provim standard i një universiteti të huaj, është mbivendosur së fundi në sistemin zyrtar arsimor publik shqiptar, si një çertifikatë më e vlefshme se provimi që vetë universiteti ynë organizon.

Ky fakt i ka vënë shumë studentë shqiptarë që kishin investuar prej shumë vitesh për të marrë provimin shtetëror, përballë një situate të pafavorshme, ndërsa shoqërinë shqiptare përpara një dileme: a të preferojmë provimin e huaj dhe të injorojmë atë shqiptar?

Etleva është një studente që prej shumë vitesh është njohëse e mirë e anglishtes dhe vazhdon ta praktikojë atë sa herë që i jepet mundësia, duke lexuar romane në mënyrë autodidakte apo duke komunikuar me të huaj.

Edhe pse është në vitin e tretë dhe e di që së shpejti do t’i duhet të mbrojë edhe Toeflin për vazhduar masterin shkencor, ajo është e vendosur që javën tjetër të kryejë detyrimin e saj ndaj Republikës së Shqipërisë, duke marrë pjesë në provimin shtetëror të anglishtes.

”Javën tjetër kam vendosur që të mbroj anglishten në shtet dhe megjithëse e di që kjo nuk do të më vlejë për studimet master, jam e bindur që ajo do vazhdojë të më njihet në të gjitha institucionet”, deklaroi studentja për emisionin e pasdites në Top Channel.

”Nuk mund t’a bëj Toeflin tani sepse ai ka një afat 2-vjeçar, por edhe sepse për t’u pranuar brenda Shqipërisë, dëshmia shtetërore e njohjes së anglishtes mjafton. Toefli u nevojitet mbi të gjitha atyre që duan të regjistrohen në një shkollë të huaj”.

Hapat e ndjekura nga Etleva për të qënë pjesë e personave që gjatë këtij muaji do të testohen për njohuritë e tyre janë të thjeshta, mjafton të plotësosh dhe dorëzosh dokumentet e nevojshme.

”Nevojitet vetëm vërtetimi që jam studente në shkollën e lartë apo dëftesa e noterizuar e shkollës së mesme për ata që nuk janë duke ndjekur studimet universitare.

Nevojitet fotokopja e pasaportës apo e kartës së identitetit, një fotografi e vogël dhe mandati i arkëtimit në një bankë”, sqaron ajo.

Megjithatë, kur u morr vendimi për të mbrojtur Toeflin, i cili në atë periudhë nuk ishte shtetëror, kishte reagime të shumta, pozitive dhe negative, madje ky vendim u përshkallëzua edhe në protesta të studentëve.

”Një prej arsyeve kryesore që shkaktoi rebelimin e studentëve ishte çmimi i lartë që duhet të paguanin. Nga 30 mijë lekë që kushton dëshmia shtetërore, Toefli do të kushtonte mbi 350 euro, çka do të ishte një rëndëse e madhe për xhepin e studentëve”, thotë Erisa, një tjetër studente.

Certifikimi i mbrojtjes së kësaj gjuhe nga një institut ndërkombëtar do të përfshijë të gjitha programet e ciklit të dytë ku hyjnë masterat profesionalë, shkencorë, të arteve të bukura, por edhe ato të ciklit të tretë si doktoratura.

Ndërkohë që maturantët, përveç matematikës dhe letërsisë do t’u duhet të japin si provim të detyruar edhe anglishten. Gjithmonë, nëse do të ketë një staf pedagogjik të përgatitur dhe nëse të gjitha kushtet do të plotësohen brenda afateve kohore.

”Nuk mendoj se duhet vendosur si domosdoshmëri mbrojta e gjuhës angleze. Mendoj se mjafton që të kesh një diplomë me një gjuhë që është pjesë e Bashkimit Europian dhe jo anglishtja si parësore. Mendoj se kjo gjuhë është e rëndësishme, por nuk duhet të jetë taksative”, thotë Erisa.

Qëndrimet janë vërtet të shumëllojshme. Ka nga ata që nuk e quajnë problem zhvleftësimin e provimit shtetëror për të cilin taksapaguesi shqiptar shpenzon para. Ata mendojnë se ky është një hap pozitiv dhe në shërbim të formimit të tyre arsimor.

”Mendoj se mbrojtja e Toeflit është një hap pozitiv dhe i domosdoshëm për studimet master, pasi gjuha angleze është bërë e rëndësishme në çdo aspekt të jetës”, thotë një studente rreth nismës së autoriteteve.

Duket se mbetet pak konfuzion, por ata që janë të lidhur direkt me problemin i paraprijnë dhe i shtojnë sfidat vetes. Për ta, mbrojtja e anglishtes në shtet apo mbrojtja e Toeflit janë vetëm dy provime më shumë në listën gjatë të provimev univeristare.

Top Channel