Pullë dyfishe për barnat

18/04/2011 11:40

Shumë shpejt edhe pacientët shqiptarë do të kenë mundësi t’i shpenzojnë paratë për kurimin e shëndetit të tyre në mënyrë efektive, pa dyshuar se po abuzohet me “xhepat” e tyre, siç ka ndodhur prej vitesh në vendin tonë.

Autoritetet e shëndetësisë pohojnë se zbatimi i sistemit të pullës dyfishe te barnat dhe intensifikimi i kontrolleve të “rrepta” synon t’i japë fund abuzimeve që bëhen me barnat, në veçanti me ato që renditen në listat e rimbursueshme.

Drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, tha per “Shqip”, se kjo pullë do të vendoset në kutinë e medikamentit, dhe kur ky i fundit blihet hiqet njëra pjesë e pullës dhe vendoset te receta me rimbursim, në mënyrë që të rritet transparenca, të minimizohen abuzimet, të luftohet korrupsioni dhe mundësisht të rritet kënaqësia e pacientit ndaj shërbimit shëndetësor.

Sipas Piperos, kjo praktikë do të bëhet realitet i prekshëm nga komuniteti, pacientët, jo më larg se dy apo tre muaj.

Projektligji për futjen e pullës dyfishe shkaktoi jo pak debate në Parlament mes opozitës dhe mazhorancës, por pavarësisht kontestimeve të opozitës, drafti mori votat e mazhorancës, pasi sipas saj futja e pullës dyfishe do të identifikojë më lehtë prejardhjen e barnave nga prodhuesi tek pacienti, por do të luftojë edhe kontrabandën që bëhet me ilaçet.

Top Channel