Politika ndëshkon ekonominë

18/04/2011 15:45

Banka e Shqipërisë deklaron se klima e rënduar politike po e zhyt ekonominë në pesimizëm, duke krijuar pasiguri tek biznesi.

Sipas bankës, treguesi i ndjesisë ekonomike, i cili mat vlerësimet e biznesit dhe konsumatorëve mbi gjendjen e ekonomisë, ra në tremujorin e parë të vitit në nivelin më të ulët që nga viti 2009, kur kriza globale ishte në kulmin e saj.

Treguesi i ndjesisë, i cili publikohet nga banka cdo tremujor pas anketimeve direkte tek një numër i madh biznesesh dhe konsumatorësh, qëndron aktualisht 14.7 pikë përqindje poshtë mesatares së tij historike.

Në vrojtimin e fundit, banka vëren se pesimizmi për shkak të situatës së rënduar politike ka prekur thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë.

Si bizneset e ndërtimit, industrisë por edhe ato të shërbimeve kanë deklaruar se klima e rëndëuar politike dhe gjendja e rendit dhe sigurisë në vend janë faktorët kryesorë që kanë penguar aktivitein e tyre normal.

Tremujori i parë i vitit përkon me një ashpërsim të klimës politike, e cila kulmoi me protestat e dhunshme dhe vrasjen e katër personave në demonstratën e 21 janarit. Por pesimizmi mbi gjendjen e ekonomisë nuk ka prekur vetëm biznesin.

Edhe qytetarët kanë dhënë komente joentuziaste, kur vlerësojnë gjendjen e tyre financiare dhe atë të pritshme, ndonëse arsyet e tyre lidhen me të tjera shkaqe.

Sipas bankës, konsumatorët shprehen të shqetësuar nga rritja e kostove të jetesës dhe presin që rritja e cmimeve të vazhdojë dhe papunësia të rritet.

Top Channel