Palokaj: Opinioni i BE-së, negativ

18/04/2011 23:10

Agustin Palokaj, analist dhe gazetar i njohur i cështjeve europiane, vecanërisht i politikës së BE-së dhe gjuhës diplomatike të Unionit përballë Ballkanit, në një intervistë dhënë në emisionin Shqip në Top Channel, vlerësoi se Shqipëria ka mbetur mjaft prapa në rrugën e saj drejt anëtarësimit europian.

Në intervistën dhënë gazetares Arta Tozaj, zoti Palokaj tha se porosia e BE-së ndaj Shqipërisë ka qenë mjaft e qartë, tejkalim i krizës dhe përmbushje të të gjitha rekomandimeve. Sipas tij, përderisa në opinionin për Shqipërinë mungon rekomandimi për anëtarësim, atëherë ku opinion është negativ për vendin.

“Porosia ndaj Shqipërisë ka qenë shumë e qartë, të përmbushë të gjitha pikat që kanë vendet kandidate, të tejkalohet kriza, të ketë funksionim të institucioneve të pavarura, liri të shprehjes, gjyqësori, mos ketë ndërhyrje tek institucionet e pavarura. Ajo që ka qenë e qartë është se Shqipëria është kritikuar tek të gjitha këto, ka ndërhyrje tek media dhe në gjyqësor. Opinioni është në gjuhë diplomatike, porosia me gjuhë të përmbajtur për klasën politike. Opinioni ka rekomandim, opinion pozitiv është vetëm ai që rekomandon anëtarësimin, në rastin e Shqipërisë s’ka një rekomandim të tillë, dmth është raport negativ”, thotë Palokaj.

Më tej analisti flet edhe për përgjegjësinë për gjendjen në të cilën ndodhet vendi. Sipas tij, përgjegjësia më e madhe bie mbi qeverinë, ashtu sic tha ai, edhe ndaj opozitës për mungesën në Kuvend.

“Përgjegjësi për këtë gjendje e mbajnë ata që janë në pushtet, ashtu si opozita është kritikuar për mospjesëmarrjen në Kuvend. Por përgjegjësia më e madhe është e qeverisë. Këshilli Europian ka qenë gjithmonë i qartë duke thënë se i takon qeverisë të garantojë zgjedhje të lira”, u shpreh Palokaj.

Palokaj vlerësoi se qeveria nuk respekton ndarjen e pushteteve dhe ndërhyn tek gjyqësori dhe kërkon të kontrollojë median, një pjesë e së cilës, sipas tij, mbron politikanët e akuzuar për korrupsion.

“Në Shqipëri një pjesë e medias, dhe e vetë popullit mbron persona që akuzohen për korrupsion, në rastin konkret ish-zv/kryeministrin Ilir Meta”, tha Palokaj.

Në fund të intervistës së tij, Agustin Palokaj tha se vendi rrezikon tejmase integrimin e po mbetet i fundit në rajon, bashkë me Bosnjën, kur pritet që këtë vit statusin kandidat ta marrin Serbia dhe Mali i Zi. Ai kërkoi më shumë angazhim prej klasës politike e cila, sic tha ai, duhet të kuptojë se nuk janë partitë ato që integrohen në BE, por shteti.

Top Channel