Mustafaj: Integrimi varet nga zgjedhjet

18/04/2011 21:55

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj ka paralajmëruar se një dëmtim i mundshëm i zgjedhjeve të 8 majit do të dëmtojë rrugën tashmë të dëmtuar të integrimit.

“Ndërkombëtarët kërkojnë që zgjedhjet të jenë transparente dhe sipas standarteve, në të kundërt do të vështirësojnë procesin e ngadalësuar të integrimit evropian”, ka deklaruar Mustafaj.

Duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel, ish-deputeti i PD ka nënvizuar se gjithcka mbetet në dorë të klasës politike shqiptare, për të cilën ai shprehet skeptike.

“Palët politike duhet të tregojnë se janë të angazhuara për integrimin evropian. Por unë kam dyshime serioze nëse lidershipi shqiptar është i etur për integrim”, ka pohuar Mustafaj.

Më tej ish-shefi i diplomacisë shqiptare ka kritikuar edhe gjuhën e përdorur nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ndaj eurodeputetit Viktor Bostinaru në Parlamentin Evropian.

Top Channel