Biberaj: Gjuha e Topallit dëmtoi Shqipërinë

18/04/2011 21:40

Ish-presidenti i APKE, Aleksander Biberaj ka dënuar gjuhën e përdorur nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në Parlamentin Evropian, ndaj eurodeputetit Viktor Bostinaru.

“Mendoj se ky është një përfaqësim i dobët dhe i bëjmë një anti-reklamë politikës shqiptare, pasi bëhet fjalë për Parlamentin Europian, për një debat mes Parlamentit shqiptar dhe atij europian”, ka deklaruar Biberaj.

Duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel, Biberaj është shprehur se Shqipëria duhet të ketë një përfaqësim më dinjitoz në një intstitucion të tillë.

“Mendoj se në vitin 2011 Shqipëria mund dhe duhet të përfaqësohej në nivele më të larta diplomatike për të merituar respektin që na jep Evropa dhe gjithë komuniteti ndërkombëtar”, ka nënvizuar Biberaj.

Më tej, duke folur për zgjedhjet lokale, Biberaj ka theksuar se, nëse nuk plotësohen standartet, atëherë rruga e Shqipërisë drejt BE-së do të bëhet edhe më e vështirë.

“Nëse ne nuk i zhvillojmë zgjedhjet sipas standarteve, atëherë do t’u japim shkas atyre që janë skeptikë për zgjerimin e BE-së. Koston do ta paguajë populli shqiptar, duke pasur parasysh se BE ka edhe një lodhje nga zgjerimi”, ka pohuar Biberaj.

Megjithatë, ai ka shprehur shpresën e tij që në kohën e mbetur deri më 8 maj, klasa politike shqiptare të tregohet e përgjegjshme për t’u ndarë nga kapitulli i zgjedhjeve të kontestuara.

Top Channel