Berisha hap fushatën në Kamëz

18/04/2011 19:20

Kryeministri Sali Berisha ka hapur fushatën në Kamëz, ku ka prezantuar kandidatin e PD për bashkinë, Xhelal Mziu.

Gjatë fjalës së tij, Berisha ka vlerësuar punën e bërë nga banorët e Kamzës, të cilët sipas tij e kanë kthyer këtë komunë në një qytet modern.

“Në këto 20 vjet ju derdhët lumenj djerse dhe ndërtuat me sukses ëndrrën më të bukur të njeriut, kthyet Kamzën në një qytet ndër më modernët”, ka deklaruar Berisha.

Duke ftuar banorët që më 8 maj të votojnë kandidatin Mziu, Berisha ka premtuar investime masive në infrastrukturën e Kamzës.

“Ne do shtrojmë Kamzën e këtyre burrave dhe grave, për ta kthyer në një ndër qytetet më të urbanizuara të Shqipërisë. Në këtë qytet janë asfaltuar 60 km rrugë kryesore, në 4 vitet që vijnë do asfaltohet cdo rrugë e cdo rrugicë dhe Kamza do ketë imazhin e saj”, ka pohuar Berisha.

Më tej kreu i qeverisë ka premtuar ngritjen e shkollave dhe kopshteve, të cilat sipas tij do të kenë të njëjtat standarte me ato të vendeve evropiane.

“Do ndërtojmë 23 shkolla e kopshte. 5 shkolla të mëdha janë në ndërtim e sipër. Shkollat tuaja do të jenë tërësisht evropiane”, ka shtuar Berisha.

Top Channel