145 kontrata privatizimi për të pastrehët

18/04/2011 11:30

Enti Kombëtar i Banesave nis shpërndarjen e kontratave të privatizimit për familjet e strehuara në ish-ambientet magazinuese të Agro-eksportit në Durrës.

Dhjetëra familje të pastreha i janë gëzuar më në fund marrjes në dorë të kontratës, që i paraprin certifikatës së pronësisë në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave për privatizimin e banesave në favor të familjeve që janë vendosur prej vitesh në to.

Banorët nga ana e tyre ia dinë për faleminderit fushatës elektorale që mundësoi vënien në lëvizje të procesit kaq të rëndësishëm për ta.

Janë 145 kontrata privatizimi që do t’u mundësojnë, sipas premtimit, brenda pak ditëve, shndërrimin në pronare të të gjitha familjeve të pastreha të sistemuara në ambientet e përshtatura për banim të godinës në pronësi shtetërore.

Strehimi ngelet një problem i mprehtë social në qytetin e Durrësit, ndërkohë që janë të shumta familjet që nuk zotërojnë titull pronësie, ndonëse e kanë në zotërim objektin në të cilin banojnë.

Ky problem mbetet jo vetëm për familjet që janë strehuar në një pjesë të ish-kabinave të plazhit e që përballen me probleme të pronësisë kohët e fundit, por edhe për mjaft pallate të reja të pahipotekuara ende.

Problematike është situata në sektorin “Iliria” të Plazhit, ku disa dhjetëra familje janë strehuar në ish-kabinat e plazhit dhe për vite të tëra u ishte premtuar privatizimi i tyre, ndërkohë që tanë përballen me frikën e dëbimit, pasi u ka dalë pronari deri vonë joekzistues.

Ceremonia e zhvilluar në Shkozet të Durrësit, tek magazinat e ish-Agro-eksportit u ndoq dhe nga kandidati për kryetar bashkie i ‘Aleancës për Qytetarin’, Ferdinand Xhaferaj.

Gjatë aktivitetit u deklarua se, pas shpërndarjes së 145 kontratave të para të privatizimit, procesi i shpërndarjes së tyre do të vazhdojë për mbi 700 familje të tjera në Plazh dhe Shkozet, të cilat janë strehuar prej më se 20 vitesh në godina në pronësi të shtetit.

Top Channel